Prishtina ka prezantuar transferimin e ri, futbollistin e krahut të majtë, Leonit Abazin.
Vetë futbollisti është shprehur i kënaqur për transferimin në klubin më të trofeshëm në Kosovë, gjersa ka treguar hapur se me kaltër e bardhët ka synime të mëdha, titullin kampion dhe paraqitjet sa më të mira në Evropë.
Ky është postimi i plotë i klubit Prishtina:
Mirë se vjen kampion!
Leonit Abazi përforcon Prishtinën
Prishtinë, 5 gusht 2019 – Pas bisedave të gjata është arritur akordi trevjeçar me futbollistin Leonit Abazi.
26 vjeçari, i lindur më 26.05.1993 në Gjilan, futbollist i krahut të majtë 174 cm i gjatë, ish-futbollisti i Dritës, në korrik të vitit 2013 kishte kaluar në Skënderbeun e Korçës – skuadër kjo me të cilën kishte fituar gjithçka çfarë mund të fitohet duke luajtur edhe në grupet e Evropa Ligës.
123 ndeshje të zhvilluara me Skënderbeun (88 kampionale, 8 të Evropa Ligës, 26 për Kupë, 6 ndeshje në kualifikimet e Ligës së kampionëve dhe 5 për Superkupë) duke shënuar 6 gola (4 kampionat, 2 Kupë) dhe 4 asistime.
“Vendosa për Prishtinën, sepse është klubi më i madh në Kosovë, klubi më i trofeshëm dhe klub me ekip me ambicie shumë të mëdha dhe kjo ishte arsyeja më e madhe e kësaj zgjedhje”.
“Sigurisht që pres titullin kampion me Prishtinën, aty ku e ka vendin klubi dhe sa më lart të ecim në Evropë”.
“ E njoh ekipin e Prishtinës, e kam përcjell edhe sa isha në Shqipëri sikurse edhe kryetrajnerin Josa të cilin e kam pasur trajner edhe në Skënderbe. Është trajner me përvojë dhe kam shumë respekt të madh për të”, ka thënë Leonit Abazi.