Dikur ishte anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pjesë e Kuvendit Komunal të Gjilanit, por pas braktisjes së LDK-së, tani në këtë organ përfaqëson Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe del të jetë një zë i theksuar opozitar dhe kritik i ashpër i ish partisë së tij, në veçanti i kreut të Komunës së Gjilanit.
Është ky, Isa Agushi, i cili edhe në seancën e sotme ka adresuar kritika në adresë të pushtetit me theks të veçantë të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, e kur ky i fundit iu është adresuar sërish kuvendarëve, kjo ka nxitur opozitarët për replikë, por ishte pikërisht Agushi që ka “shpërthyer” në replikën e tij, duke e quajtur madje kryetarin Haziri, një “serhibas”, transmeton Portali 2LONLINE.com.
“Kryetar, ti je “sehirbas””, e ka nisur me këto fjalë replikën e tij Agushi i PDK-së. Ai tha se ishte me të, sepse besonte në të. “Kam nga” ditë e natë për ty, por kur kam parë që s’ka asgjë në ty, jam larguar”, ka thënë Agushi, për të shtuar se kryetari është i mirë me njerëz vetëm sa ka leverdi.
Fjala e tij, nxiste reagime në taborin e LDK-së që nga vendi kërkonin ta ndalte gjuhën e tillë të komunikimit, por Agushi tha se ka të drejtë të kërkojë llogari nga kryetari sepse, ai e përfaqëson edhe atë si kryetar komune dhe se po i drejtohet zyrtarisht, transmeton 2LONLINE.com.
“Po sillesh si shpëtimtar i jonë, por nuk je i tillë”, e ka përfunduar replikën e tij Agushi i PDK-së.
E në kundërreplikë, kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kërkuar nga Agushi që ta dijë se as “shpija e re” nuk e pranon duke e helmue pusin e vjetër.
“Do ta shohësh, mos e pështy pusin e vjetër, para se me e qel të riun se të vynë”, ka thënë ndër tjerash Haziri, transmeton Portali 2LONLINE.com.