Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve më 1 shkurt të këtij viti kishte pranuar një ankesë nga një qytetar i cili pretendonte për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Lipjan.
Hetuesit e IPK-së pas pranimit të ankesës nga qytetari si dhe shkresat e rastit kanë ndërmarrë një mori veprimesh hetimore .
Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot një zyrtar policor (punonjës në Stacionin Policor të Lipjanit) që ishte i përfshirë në këtë incident.
Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.