(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Kamenicës Begzad Sinani, ka pritur sot në një takim shumë miqësor një delegacion nga Komuna e Bujanocit të udhëhequr nga Kryetari Nagip Arifi, dhe Kryetari i Kuvendit Komunal Jonuz Musliu me bashkëpunëtorët e tyre.
Zyrtarët nga Bujanoci e kanë uruar Kryetarin Sinani dhe të zgjedhurit e tjerë në qeverisjen e re lokale, duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e lartë për të intensifikuar bashkëpunimin.
“Ne do të bashkëpunojmë ngushtë si dy komuna me të njëjtat probleme në mënyrë që në kuadër të partneritetit ndërkufitar të aplikojmë dhe të përfitojmë nga fondet IPA” tha Kryetari i Bujanocit Nagip Arifi, i cili ftoi Kryetarin Sinani dhe udhëheqësit e Kamenicës për të vizituar administratën komunale në Bujanoc.
Kryetari i Kuvendit Komunal Jonuz Musliu, foli për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy kuvendeve komunale gjatë këtij mandati. Në takim u fol për angazhimet e përbashkëta të dy komunave në avansimin e administrratës komunale, pastaj në aktivitetet kulturore dhe bashkëpunime të tjera.
Nga ana e tij, kryetari i Kamenicës Begzad sinani tha se bashkëpunimi ndërkomunal dhe ndërkufitar janë mundesitë më të mira për zhvillimin e komunave si Kamenica dhe Bujanoci.
“Ne kemi filluar një bashkëpunim me komunën e Zhelinës në Maqedoni dhe nga ky bashkëpunim do të kemi përfitime edhe me investime në infrastrukturë dhe avansim të administratës pasi që do të ndahen 250 mijë euro për komunën e Kamenicës nga Komisioni Evropian, një bashkepunim të tillë ne mund të fillojmë edhe me Bujanocin me të cilën kemi shumë lidhje dhe ngjashmëri” tha Sinani./2lonline/