Në ditën kur dhe zyrtarisht filloi rindërtimi i stadiumit të qytetit në Gjilan, një grup i tifozëve të Dritës “Intelektualët”, u panë në ndërtesën e Shkollës së Muzikës dhe të Arteve, ku edhe lëshuan banerin me portretin e presidentit Selami Osmani – Bezi.
Afër tij, tifozët bashkëngjitën mbishkrimin “mirësevini në stadiunin S.Osmani”, duke lënë të kuptohet që dëshira e tyre është që ky stadium të mbante emrin e Presidentit historik të bardh e kaltërve.
Këtë e konfirmoi për 2lonline.com edhe një nga tifozët, Albert Fazliu, i cili ka thënë se këtë figurë nuk e njeh vetëm Drita, po e tërë qyteti dhe Kosova.
“Presidenti jonë Selami Osmani Bezi është një njeri që e njeh krejt Kosova dhe mendojmë që është figura më e mirë dhe reprezentative e kontribuuesit e përkrahësit të sportit, edhe për emër të stadiumit dhe për qytetin e Gjilanit. Sepse, qyteti na takon neve si klubi më i vjetër, por edhe tifozët më të organizuar dhe numrit të madh të tyre, ne rival tjetër nuk kemi në këtë qytet për momentin dhe nuk njohim. Kjo është dëshira jonë dhe shumica duhet të vendos gjithmonë. Nuk ka emër më meritor për futbollin gjilanas, prandaj ne nuk kemi emër tjetër përveç Presidentit tonë historik që do na identifikonte neve, klubin dhe qytetin”, ka thënë Fazliu.
Përndryshe rekonstruktimi i stadiumit , projekt ky që filloi së implementuari ditë më parë përfshin rindërtimit e të gjitha hapësirave në stadion, tribinave, pjesëve plotësuese është parë si projekt i mirëseardhur nga futbolldashësit, futbollistët, udhëheqësit e klubeve e punëtorëve të tjerë sportiv.
Vlera e këtij projekti është 6 milionë euro, ndërkaq deri tani janë të siguruara e të kontraktuara 3.2 milionë euro. /Elife Sherifi/