Grupi i tifozëve të klubit të futbollit Drita, Intelektualët, i kanë dhuruar të martën dhjetë karroca për nevoja të pacientëve në shëndetësinë primare dhe sekondare.
Në emër të Komitetit emergjent të Gjilanit, donacionin e ka pranuar drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemaili, i cili ka falënderuar grupin e tifozëve Intelektualët për këtë donacion, duke thënë se kjo ndihmë në kohë pandemie është tejet e mirëseardhur.
Fisnik Salihu, në emër të tifo klubit Intelektualëve, tha këtë iniciativë e kanë marrë me të kuptuar nevojat që ka shëndetësia primare dhe sekondare e kësaj komune.
“Në këtë rast, duhet ta falënderojmë presidentin e klubit, Valon Murseli dhe tifozët tanë që u janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për mbështëtje. Shpresojmë që këto karroca do t’iu shërbejnë pacientëve dhe shpresojmë që kjo pandemi të kalojë shpejtë”, ka thënë Salihu.
Fjalë falënderimi për këtë donacion të Intelektualëve pati edhe drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Ukshin Ismaili dhe drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Dr. Arbenita Hajdari. /2LONLINE.com/