Ndonëse komuna e Vitisë nuk ka pasur raste të reja të të infektuarve me Covid 19, megjithatë autoritetet komunale apelojnë për kujdes dhe respektim të masave të ndërmarra nga IKSHP-ja.
Kryetari i komunës Sokol Haliti, ka apeluar te qytetarët që të kenë parasysh rrezikun që mund ta shkaktojë qarkullimi i pakontrolluar dhe lëvizjet e panevojshme, e posaqërisht grumbullimi i njerëzve, në përhapjen e virusit Covid19.
“Andaj, edhe pse lajmi i mirë që 77 vjeçari nga Stublla tash më është shëruar dhe ka rezultuar negativ dhe gjendja shëndetsëore e të tjerëve është e mirë dhe drejt normalizimit, megjithatë kujdesi dhe vigjilenca qytetare për ti’u shmangur turmave dhe levizjeve duhet të jetë në nivelin e duhur. Apelojmë që të mbahet distanca, por edhe të kufizohet lëvizja e qarkullimit, të paktën edhe në këto tri javët e ardhshme, në mënyrë që ta tejkalojmë këtë situatë me sa më pak të infektuar dhe pasoja”, ka thënë kryetari Haliti.