(2L ONLINE) – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu së bashku me drejtorin e prokurimit, Sali Kqikun dhe shefin e GK të LDK-së, Abdyl Aliu njëherit banor nga kjo lagje, kanë bërë inspektimin e punimeve në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, duke shikuar mundësinë e investimeve shtesë në disa rrugë, kanalizime dhe rregullim të rrjetit të ujërave atmosferike.
Me këtë rast Kadriu, ka thënë se do të punohet në infrastrukturë, për asfaltim të rrugëve, rregullim të kanalizimit por edhe krijimin e zgjidhjes për ujërat atmosferike në rrugën kryesore të kësaj lagjeje.
“Bashkërisht me drejtorin prokurimit dhe këshilltarin komunal nga kjo lagje po inspektojmë punimet që janë duke u bërë në rregullimin e trotuarit, por njëkohësisht po shikojmë mundësinë që të punohet në asfaltim të rrugëve, rregullim të kanalizimit që në një pjesë të lagjes prej kohësh është bërë jo – funksional për shkak të standardit jo të mirë të përdorur në kohën e ndërtimit, sikurse që në hyrje të kësaj lagjeje, do të bëhet zgjidhja edhe për ujërat atmosferike, që janë pengesë gjatë reshjeve sepse nuk kanë rrjetin e rregulluar për këtë qëllim”, tha ndër të tjerash Kadriu.
Ndërsa, këshilltari komunal, Aliu, ka thënë se lagja zabeli e cila prej kohësh ishte harruar, tani po merr investime, të cilat janë të pritura shumë mirë nga banorët e kësaj pjese, ngase ata për kohë të gjatë kanë jetuar në një gjendje shumë të vështirë, për shkak të mungesës së infrastrukturës./2L ONLINE/