Iniciativa për Progres (INPO) i ka dërguar një letër rekomanduese KQZ-se, ku thuhej se për ta parandaluar fotografimin e votës dhe votimit të shumëfishtë, KQZ duhet që kabinat e votimit t’i kthejë në atë mënyrë që u mundëson vëzhguesve të shohin shpinën e votuesit.
Sipas INPO-së, shpina e votuesit duhet të mbetet e dukshme për vëzhguesit dhe komisionarët, pasiqë në këtë mënyrë ruhet fshehtësia e votës dhe në të njëjtën kohë parandalohen format e ndryshme të manipulimit si i ashtuquajturi “treni bullgar” apo fotografimi i fletëvotimit.
“Shpërndarja e komisionerëve të jetë proporcionale dhe veçanërisht pozita e kontrolluesit të letërnjoftimit duke pasur parasysh se kontrolluesi i letërnjoftimit mund të mundësojë votimin në emër të dikujt tjetër dhe nënshkrimin pranë emrit të tjetër kujt”, thuhet në një komunikatë të INPO-së.
Ata rekomandojnë që posti i kontrolluesve të letërnjoftimit të shpërndahet tek të gjitha subjektet politike në mënyrë proporcionale në mënyrë që të evitohen keqpërdorimet e mundshme.
Ndryshe, në mbledhjen e fundit të Komisionit Qendror Zgjedhor u morë vendim që të ndalohet fotografimi i votës në momentin e votimit.