Iniciativa Qytetare e Zhegrës ( IQZH), ka shprehur pakënaqësinë dhe shqetësimin e saj të madh lidhur me projektet apo punimet që kanë fillua qysh në vitin e kaluar dhe ende nuk kanë përfunduar, duke rikujtuar se më 8 Qershor 2018, kishin kërkua nga Drejtoria e shërbimeve Publike e Komunës së Gjilanit, që të mos zvarriten punimet, ndonëse në disa raste edhe e rrezikojnë ose edhe e dëmtojnë kryerjen e detyrës në kushte normale, transmeton 2LONLINE.
Mustafë Jashari nga Iniciativa Qytetare e Zhegrës ka thënë se disa punë që janë bë në Zhegër e Haxhaj, me keqardhje mund të konstatohet se nuk ka pasur vazhdimësi, por as kontroll Institucional, kështu që të gjitha ato punime zvarriten dhe kalojnë në heshtje. Ai ka shtuar se për ktë do të duhej të ishte në dijeni kreu i komunës për të mos lejuar një gjë të tillë
Jashari ka bërë me dije, se tani së fundmi, kanë ftuar edhe drejtorin e drejtorisë së Inspekcionit, Nevzad Rushitin, por edhe përgjegjësit tjerë, që të inspektojnë projektet dhe punimet, për të përmendur disa prej tyre.
Jashari ka përmendur objektin e shkollës së Mesme në Zhegër, pas shkatërrimit të ambientit në emër të trotuarit, sipas tij, para shkollës, mbylljen definitive të katit përdhes, shkallëve të hyrjes që u është ndërrua vendi (në anën veriore pa mbulojë), edhe pas investimit në ndërtim të tualeteve në fund të korridorit ende nuk janë funksionalë! Stafi arsimor për nevojat e tyre duhet shkuar në ndonjë “Bar à café” ose në objektin e ambulantës e për nxënës nuk interesohet kush. I gjithë ky shkatërrim është bë në emër të trotuarit.
Po ashtu Jashari përmend edhe çështjen e trotuarit, prishjen e rrugës (asfaltit) gjatë punimit të trotuarit, kurse në anën e sipërme nuk është bë përcjellja e ujit nga të reshurat, ndonëse është në rrëze mali.
Pastaj, gropa e hapur përballë Ambulancës, në mes të Postës dhe Bustit të Idriz Seferit-Kalorësit të Karadakut, që bëhet për “Parkim të veturave” (3-4 vetura), me pretekst për sigurinë e nxënësve e nuk qëndron dhe nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë shkatërrimit i atij ambienti.
Po ashtu përmendet edhe asfaltimi i pjesës ku është punuar për shtrimin e sistemit të kanalizimit nga ish Fabrika e Radiatorëve deri në afërsi të Shkollës së Mesme në Zhegër. Përgjatë kësaj vije, asfaltimi ose rrafshimi me rrugë ka dështua. Në pjesën më të madhe janë krijua gropa të rrezikshme si pasojë e punimeve jo cilësore të kompanisë kontraktuese dhe që nga viti i kaluam nuk është bë asgjë në këtë drejtim!.
Jashari nga IQZH-ja ka përmendur edhe objektin e shkollës në Haxhaj ku ende nuk ka vazhdim të punimeve. Nxënësit që nga viti i kaluar janë të detyruar të vazhdonin mësimet në podrum të Xhamisë së fshatit. Kërkesa për ndërtimin e një objekti të ri është bë qysh më 28 Maj 2012, Drejtorisë Arsimit në Gjilan.
“ Ne besojmë dhe shpresojmë se drejtori, zyra e stafi i tij, do t’i hetojë, identifikojë parregullsitë dhe të veprojë sipas autorizimeve që i kanë”, shprehet, Mustafë Jashari nga Iniciativa Qytetare e Zhegrës.