Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) shprehë shqetësimin me mosfunksionalizimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK).
“Ne kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht të procedoj emrat për anëtar të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Gjendja në treg është shumë e keqe dhe e rrezikshme për konsumatorët. Në treg janë rritur të gjitha çmimet, përfshirë çmimi i bukës, i të gjitha produkteve ushqimore dhe derivateve të naftës. Funksionalizimi i AKK-së është i domosdoshëm në mënyrë që tregu të rregullohet dhe institucioni të mund të veprojë për mbrojtjen e konkurrencës, mandat ky ligjor për të cilin është i thirrur. INDEP pret që kjo kërkesë të trajtohet me prioritet nga Qeveria dhe që brenda muajit të ardhshëm të kemi një AKK funksionale dhe në krye të detyrës. Funksionalizimi i AKK-së në tregun e tanishëm që po i shkel të drejtat e konsumatorëve dhe po ç’ekuilibron konkurrencën e tillë tejkalon çdo agjendë politike”.
Sipas Ligjit nr. 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është organi kyç për mbrojtjen e konkurrencës dhe rrejdhimisht, garantimin e mbrojtjes së konsumatorëve. Me ligj, AKK-ja është institucion i pavarur që i raporton drejtpërdrejt Kuvendit të Kosovës, por që struktura e tij propozohet nga Qeveria e Kosovës. Kryetarit, nënkryetarit dhe tre anëtarëve të Bordit të AKK-së iu ka skaduar mandati pesëvjeçar me 9 qeshor, 2021. Që prej atëherë AKK-ja është jofunksionale, pa Komision për Mbrojtjen e Konkurrencës – pjesës kryesore për funksionim pa të cilën AKK nuk funksionon. Qeveria qe 7 muaj nuk ka propozuar emrat e rinjë, duke e lënë institucionin praktikisht pa asnjë mundësi për intervenim dhe mbrojtje të konkurrencës.
Qeveria përpos që nuk e ka respektuar ligjin, edhe e ka shkeluar atë. Me Ligjin nr. 04/L-226 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/l-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, Neni 25, paragrafi 5 thekson se:
“Qeveria, gjashtëdhjetë (60) ditë para përfundimit të mandatit të anëtarëve të Komisionit, ia propozon Kuvendit për emërim ose riemërim kandidatin për anëtarë të Komisionit.”
Është urgjente që Qeveria të kryejë detyrën e saj ligjore – të propozojë 5 emrat e anëtarëve të rinjë të Komisionit të AKK-së, vendim ky që do të ç’bllokonte Autoritetin. Specifikisht, Komisioni i AKK së drejton dhe organizon tërë punën dhe veprimtarinë e AKK-së. Nisur nga fakti se Kryetari i këtij Komisioni dhe anëtarët tjerë të Komisionit të AKK-së janë personat me më së shumti përgjegjësi institucionale për mbrojtjen e konkurrencës në treg, është e patolerueshme që Qeveria të zvarrisë përzgjedhjen e re të anëtarësisë të këtij Komisioni, duke shkaktuar shumë mangësi të tjera zingjirore në mbrojtjen e konkurrencës në treg dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) i ka dedikuar një komponentë të punës programatike avancimit të agjendës për mbrojtjen e konsumatorit në vend. Puna e INDEP-it fokusohet në monitorimin e kornizës ligjore e cila është e vendosur për të garantuar mbrojtjen e konsumatorit fillimisht, në informimin e qytetarëve për të drejtat e tyre, si dhe monitorimin e parakushteve që sigurojnë treg të drejtë dhe të hapur, sipas rregullave të tregut europian.
Nga puna që bën INDEP përmes platformës ‘Mbrojtësit e Konsumatorëve’, keqpërdorimet dhe shkeljet e të drejtave të konsumatorëve janë të shpeshta dhe lehtë të evidentueshme. Përmes punës sonë dhe krijimit të urave lidhëse mes konsumatorëve dhe institucioneve, konsiderojmë se është arritur një gjendje e përmirësuar e mbrojtjes së konsumatorëve në treg. Pavarësisht, problemet me konkurrencën e drejtë dhe tregun e çrregulluar vazhdojnë. Rritja enorme e çmimeve që ka nisur në pranverën e 2021, e është prezente ende, dyshimet për marrëveshje të fshehta dhe dakordime mes bizneseve për fiksim të çmimeve janë mes shkeljeve më shqetësuese. Pa AKK, përmirësimi i gjendjes është i pamundur.
Meqenëse për propozimin e emrave të rinj nuk ka nevojë as për proces rekrutimi, i bëjmë thirrje Kryeministrit, z. Albin Kurti, që të përdorë fuqinë e tij politike që sa më shpejtë të funksionalizojë AKK-në. /2LONLINE/