(2LONLINE) – Për nderë të flakë së janarit, 32 vjetorit të vrasjes së Kadri Zekës, në komunën e Kamenicës, të premten është bërë inaugurimi i rrugës së asfaltuar Hogosht –Poliqkë 5.5 km.
Në këtë manifestim ishin të pranishëm, Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, zëvendësministri i infrastrukturës, Emin Krasniqi, zëvendësministri i MAPL-së, Basri Musmurati, deputeti Hydajet Hyseni e Zenun Pajaziti dhe të tjerë. Kurse, nga komuna e Kamenicës të pranishëm ishin, Kryetari i komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, nënkryetari i komunës, drejtorët e drejtorive komunale, delegatë të Kuvendit dhe qytetarë.
Kryetari i komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, ka thënë se kjo pjesë ka nevojë për mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, duke mos lënë anash edhe qeverinë komunale të Kamenicës.
“Pas marrjes së pozitës si kryetar, kam vizituar edhe pjesët më të skajshme të komunës, ne do të vazhdojmë me projektet tona në realizimin dhe hapjen e rrugëve, në mënyrë që këta banorë ta kenë jetën e tyre më të lehtë” ka thënë Sinani, duke shtuar se do të adresojnë edhe kërkesa të tjera në ministritë përkatëse për rrugën Shipashnicë e Poshtme- Poliqkë dhe nga Poliqka për përroin e Gradocit, Desivojcë- Tërstenë dhe pjesa tjetër nga asfalti deri në Kitkë.
Ndërkaq, Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, thotë se është i nderuar që sot, po bëhet inaugurimi i rrugës, Hogosht-Poliqkë, investim ky nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Sot ne po bëjmë një punë të vogël karshi veprës së madhe, jetës së devotshme të veprimtarëve dhe heronjve tanë të cilët vërtet kanë bërë shumë që ne sot ta gëzojmë lirinë“ ka thënë Mujota
Ai tha se projekti ka rreth 5.5 km me një vlerë financiare mbi 600 mijë euro dhe mendoj se është një vlerë simbolike krahas asaj që simbolizon memoriali i Kadri Zekës.
Hydajet Hyseni, deputet në parlamentin e Republikës së Kosovës, thotë se kur kujtojmë veprën e Kadri Zekës, nderojmë edhe veprën e Bardhosh e Jusuf Gërvallës, atyre që kanë rënë para dhe pas tyre.
“Ne kemi ardhur çdo herë në këtë vend, por kësaj radhe më lehtë, kjo falë angazhimit të qeverisë për asfaltimin e kësaj rruge. Falënderoj qeverinë e ministritë që kanë asfaltuar këto rrugë për t’i lidhur edhe këto vise historike me pjesën tjetër të Kosovës, ku në mes qëndron vepra e pavdekshme e Kadri Zekës” ka thënë deputeti Hyseni.
Zëvendësministri i Ministrisë Administrimit të Pushteti Lokal, Basri Musmurati, ka thënë se qeveria e republikës së Kosovës, ka bërë një punë që të nderohet vepra dhe jeta e Kadri Zekës, andaj punën që po e shihni këtu është bërë nga Ministria e Transportit dhe një pjesë nga Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal.
Ndërkaq, Zenun Pajaziti, në emër të familjarëve, falënderoj të gjithë për pjesëmarrje, njëherit tha se kjo rrugë që është lidhur në këtë fshat të shfrytëzohet, të ndërtojnë më shumë shtëpi, ferma dhe të ketë sa më shumë aktivitete në mënyrë që ky vend të jetë pikë më e gjallëruar me investime.
Në fund është bërë edhe prerja e shiritit si dhe është bërë një vizitë në muzeun e “ Kadri Zekës”.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Kamenicës janë të përkushtuara për të përmirësuar kushtet e jetesës për banorët e viseve malore të Komunës së Kamenicës./2lonline/