Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në hapjen e Qendrës për Zhvillim të komunitetit malazez në Prishtinë, e cila do të shërbejë si një pikëtakim dhe pikënisje për afirmimin dhe integrimin e këtij komuniteti në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. Në hapje të qendrës ka marrë pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.
Në ceremoninë e organizuar kanë marrë pjesë liderë dhe personalitete të shquara të dyja vendeve dhe kanë vlerësuar lartë rëndësinë e aktiviteteve që do të marrin zhvillim nga kjo qendër, si për afirmimin e pozitës së komunitetit malazez në Kosovë, ashtu edhe për ndërtimin e mirëbesimit dhe marrëdhënieve ndër fqinjësore midis vendeve dhe popujve në rajon.
Kryeministri Ramush Haradinaj me këtë rast tha se, të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, janë në shtëpitë e tyre, edhe malazezët po ashtu dhe, Kosova do të jetë çdoherë shtëpia e të gjithëve që jetojnë këtu.
Kryeministri Haradinaj, duke theksuar lidhjet që ka Kosova me Malin e Zi, kujtoi shkrimtarin e njohur Zogoviq, i cili lartësoi edhe vlerat e shqiptarëve, por edhe si traditë, ka qenë lartësimi i vlerave të ndërsjella si fqinj.
“Historia nuk ka qenë e lehtë për popujt e Ballkanit, por ajo që sot mund ta konfirmojmë së bashku, sot jemi në dritë, paqe, jemi fqinj, por edhe aleatë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova dhe mali i zi do të jenë gjithmonë aleatë.
Edhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq tha se kjo shtëpi tregon një mesazh të fortë për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Kam nder që të marrim pjesë ne këtë ngjarje të rëndësishme për malazezët e Kosovës, me vjen mirë që jeni në këtë prani të madhe që jep mesazhin e mirë për bashkëpunim mes dy shteteve dhe popujve. Qëllimi i kësaj qendre është i njohur dhe është ure lidhëse me vendin amë dhe kjo bën për mirëmbajtjen e vlerave kombëtare”, tha ai.
Ai tha se kjo qendër është urë lidhëse për Kosovën dhe Malin e Zi.
Në këtë ceremoni të inaugurimit të Qendrës për Zhvillim të komunitetit malazez në Prishtinë, nga një fjalë rasti patën edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli
Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e angazhuar në vazhdimësi që të mbështesë afirmimin e pozitës së komunitetit malazez dhe të gjitha komuniteteve të tjera në shoqërinë tonë, si dhe krijimin e kushteve që ky komunitet të jetë i integruar në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë sonë. Komuniteti malazezë është dukë luajtur rolin e vet edhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe ndërtimit të raporteve të mira fqinjësore midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo qendër do të luaj rol të rëndësishëm në afirmimin, ruajtjen dhe kultivimin e identitetit të malazezëve në Kosovë.