Në kuadër të projektit “Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe Gjithpërfshirës Ekonomik Rural” (SIRED), në agrobiznesin “Fungo sh.p.k” në Kamenicë u bë inaugurimi i objektit të ri për ruajtje me ftohje të thellë për kërpudha dhe produkte tjera pyjore jo-drusore.
Ky objekt, si investim nga projekti SIRED, Komuna e Kamenicës dhe agrobiznesi “Fungo” ndër të tjera, dyfishon kapacitetin e ruajtjes, ngrit cilësinë e produkteve si dhe mundëson rritje të punësimit me 30 (tridhjetë) punëtorë sezonalë dhe 5 (pesë) punëtorë me kohë të plotë.
Ky zhvillim dhe modernizim i kapaciteteve vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të Komunës së Kamenicës me Zyrën Austriake për Bashkëpunim dhe Caritas-in Zviceran në Kosovë. Përveç përfaqësuesve të institucioneve të lartpërmendura pjesë e ceremonisë ishin edhe fermerë të zonës e grumbullues bashkëpunues me kompaninë Fungo.
Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Kamenicës z. Shpend Morina theksoi se bashkëpunimi në mes të Agjencisë Austriake për Bashkëpunim, Caritas-it Zviceran dhe Komunës së Kamenicës u shpreh se i gëzohet zhvillimit të mëtejmë të kapaciteteve të cilat mundësojnë rritjen e punësimit të komunitetit lokal dhe veçanërisht të grave duke theksuar se do te vazhdojnë bashkëpunimin me Caritas-in Zviceran dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA).
Drejtoresha e Zyrës Austriake për Bashkëpunim, znj. Sandra Horina, duke përgëzuar z. Fatmir Krasniqi për suksesin dhe komunën për bashkëpunim, theksoi që “bujqësia organike nuk ka alternativë, dhe si e tillë me vjen mirë të shoh këtë sukses dhe angazhim për produkte organike dhe rritje të punësimit”. /2LONLINE/