Kryetari në detyrë i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka inauguruar sot Galerinë e Qytetit, e cila tha se do të jetë një mundësi e madhe për artistët.
“Jam i lumtur që e kemi realizuar Galerinë e re të qytetit si një mundësi e madhe për artistët dhe me vjen keq që nuk kemi arritur ta bëjmë ekspozitën e madhe për 28 nëntor, por besoj që në Flakën e Janarit administrata e re do të mund ta jetësojë, në kuadër të shtyllës së artit”, tha kryetari Haziri.
Kryetari Haziri me këtë rast e ka nderuar me mirënjohje artisten Anila Aliu, e cila në konkursin ndërkombëtar “Golden Classical Musical Awards”, në Nju Jork, u shpërblye me vendin e parë.
“Dëshiroj që t’i falënderoj të gjithë artistët e Komunës së Gjilanit me të cilët kam bashkëpunuar, të cilët më kanë bërë të nderuar dhe të vlerësuar. Në veçanti falënderoj Anila Aliun e cila ka ardhur nga Nju Jorku me çmimin më të madh në piano pas një konkurrence globale. Ne jemi krenarë me sukseset e Anilës dhe i dëshirojmë shumë suksese edhe në të ardhmen”, shtoi Haziri.
Në këtë ngjarje ka folur edhe Anila Aliu, e cila e ka falënderuar Hazirin për mbështetjen e madhe komunale. /2LONLINE.com/