(2L ONLINE) – Anëtari i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e komuniteti turk, Renan Imami e ka vlerësuar të duhur koalicionin PDK-LDK. Ky asamblistë gjilanas që i takon subjektit politik, Partia Demokratike Turke e Kosovës, KDTP, i ka thënë Portalit 2L ONLINE, se koalicioni PDK- LDK është koalicioni më i favorshmi për qytetarët e Republikës së Kosovës sepse ky koalicion do të sjellë institucione tejet stabile, pasi që do të krijohen në bazë të shumicës më të madhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Kosovës iu është dashur një koalicion i tille, pasi që po e presin sfidat e ndryshme, si: proceset për integrimet euroatlantike, vazhdimi i bisedimeve në Bruksel, amandamentimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me qellim të ndryshimit të procedurës se zgjedhjes se presidentit, krijimin e forcave të armatosura të Republikës së Kosovës, e shumë sfida të tjera”, ka thënë Imami.
Gjithashtu, Imami ka theksuar se me krijimin e institucioneve nga koalicioni PDK-LDK, do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe me zgjedhjen e qeverisë, i cili vendim do të mbetet precedent edhe për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë edhe për procedurën e fazës së fundit të zgjedhjeve e cila është faza e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Imami shpreson se sa më shpejt të bëhet implementimi i zgjedhjeve të 8 qershorit ku do të krijohen institucionet e reja të Kosovës dhe do te dilet nga kriza institucionale në mënyrën më të mirë të mundshme. /2L ONLINE/