Dje , më 03/04/2017 në Francë , në qytetin Annemasse ,pas një sëmundje të rëndë vdiq në moshën 57 vjeçare idealisti i fundit i çështjes së Kosovës Ilir Mustafa.
Shkruan: Besim GUDA
I brumosur me ide atdhedashurie, dashurinë ndaj lirisë e shndërroi në mit, dëshirën për të jetuar i lirë nuk e frenoi kurrë.Dhembja për të është edhe më madhe ngase grahmat e fundit të frymës së tij I dha jashtë vendit të vet-atje ku guri nuk peshon sa në Kosovë.
I mërguar, por me zemër e shpirt në Kosovë, vinte gjithnjë për t’u mbushur me ajrin e këtij vendi. Edhe tymi i duhanit të cilin e pinte me pasion i dukej më i mirë këtu.
I shërbeu qetë, pa u ndjerë fare, çështjes së madhe të vendit të vet. Ecte pas tjerëve, pak i ndrojtur por kishte miq dhe shokë atje në Francë, ku mundi të takonte me disa edhe presidentin Ibrahim Rugova, hije e të cilit u bë sa herë që ai vizitonte Francën.
Me fizikusin e një mashkulli të bukur, të një sjellje shumë suptile, të jepte përshtypjen e një evropiani cili ka agjendë të ngarkuar jetësore, të kënaqësive të kësaj bote, por në thelb ishte krejt e kundërta. Ishte si shkëmbi që nuk lëkundej nga bindjet e tija, bindje që nuk kishin asnjë lidhje me materialen, dashuri pa asnjë kusht, pasion për të ndihmuar vendin e vet, përkushtim sublim ne çështjet e Kosovës.
Kishte vështirësi në jetë, sfida shpesh shumë të vështira, por mendja dhe zemra e tij punonte për Kosovën.
Ndoshta kish harruar të paguante rrymën, ujin, të blinte bukën për mëngjes, të kishte miellin në magje, por një nuk e harronte kurrë, si t’ia bënte që Kosova të ecte, si të kishte mundësi që miqtë e tij francezë dhe evropian të kuptonin çështjen e Kosovës, si të takonte deputetë dhe ministra shtetesh të ndryshme dhe t’u bënte me dije për vuajtjen e popullit të tij, ishte shndërruar në një avokat i pakompromis i çështjes së drejtë të Kosovës, këto, jo assesi nuk I harronte.
Për Kosovën dha gjithçka qe kishte, nga ajo nuk mori asgjë, por ishte në natyrën e tij të mos kërkonte asgjë.
Çuditesha, i gëzohej edhe një të arriture të parëndësishme të vendit të vet, thoshte se kënga e bilbilit është më e mira këtu, era e luleve të dalldise këtu.
Fliste bukur dhe me shumë emocionin për njerëzit e vendit të vet, nuk thoshte edhe asnjë fjalë të keqe për asnjë, gjente anën më të mirë të secilit, admironte ushtrinë e Kosovës-FSK, çmallej me uniformen blu të policisë së Kosovës, madhëronte të arriturat e universitetit të Prishtinës.
Asgjë dhe askush nuk e ndalte në këtë dashuri të pafund, të harlisur që kishte pushtuar mendjen dhe zemrën e tij.
Nganjëherë mallëngjehej shumë, lotët nuk e dëgjonin.
Nuk dëshironte të ikte nga kjo botë, kishte shume iluzione dhe shume plane.
Me vdekjen e presidentit Rugova një pjesë e zemrës së tij ishte thyer përfundimisht, qante për të, mallëngjehej pafundësisht.
Dhe për ironi fati, vdekja e mori në moshë shumë të re, ashtu sikur presidentin Rugova, nga e njëjta dergjë.
Zoti të bekoftë Ilir Mustafa!