(2L ONLINE) – Erduan Hamidi nuk është më pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Ai ka bërë të ditur për Portalin 2l Online, se ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të kryesisë së Degës së PDK-së në Gjilan si dhe e kryetarit të nëndegës në Përlepnicë. Për më tepër, ai është larguar krejtësisht nga ky subjekt për të kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje.
Hamidi, i cili thotë të ketë qenë kontributdhënës në PDK për më se 14 vite, thotë se ka vendos ta braktis atë subjekt për faktin se PDK, sidomos niveli qendror, kohëve të fundit kishte ngatërruar rrugën drejt qëllimit duke mos pas më në fokus interesin e qytetarit.
Aq më tepër, në PDK-në si në nivelin lokal, e para se gjithash në nivelin qendror nuk kishte shenja të këndelljes dhe se në këtë drejtim, Hamidi thotë, se e kisha të pamundur për të vazhduar të jap kontributin e tij të mëtutjeshëm.
Ai tha se qendra më nuk përfillte as vullnetin dhe as vendimet e Degës edhe atë jo njëherë, por disa herë radhazi, duke bërë të pamundur funksionimi normal të Degës, me çka edhe pamundësohej angazhimi konkret për të vepruar konformë interesit qytetarë dhe kombëtarë.
Ndryshe, Hamidi thotë se iu bashkua Vetëvendosjes sepse tek ky subjekt ka parë alternativën e vetme që tani i duhet Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“I gjithë edukimi im, me vlera të atdhetarizmit, të profesionalizmit të vlerave humane, përkojë me alternativën e qartë të të rinjve që zhvillohet në Vetëvendosje. Rrugëtimi i gjatë ideal i një gjenerate që nga viti 1981, me simbolin e kësaj epoke Hydajet Hyseni dhe me bashkimin e simbolit të rezistencës të të rinjve nga viteve të 90-ta, Albin Kurti, besoj përmbushet ideali im që përkon me këtë frymëzim”, ka thënë Erduan Hamidi, që tani është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilën ka besim se do ta qeverisë vendin.
Përndryshe, Hamidi thotë se e vlerëson bashkëpunimin që kishte me ish kolegët në Degë dhe në nëndegë të PDK-së, të cilëve u falënderohet për këtë me besimin se rrugët mund të pikpreken në rrugëtimin e mëtutjeshëm drejt qëllimeve të shëndosha për vendin dhe qytetarin e saj. /2l Online/