Identiteti, ekspozitë personale e Lulzim Ramushit
Galeria e Artit-Gjilan.
18 Shkurt, 2023
19:00
IDENTITETI
Ekspozita personale “Identiteti” e artistit Lulzim Ramushit pasqyron elementet e identitetit personal e kolektiv (kombëtar), përmes pasaportave, këpucëve, karrigeve, targave të automjeteve dhe dokumenteve të tjera të identifikimit para autoriteteve zyrtare (p.sh., numrat e shtëpive në lagje), në raport me të tjerët dhe shoqërinë e gjerë.
Në këtë ekspozitë, artisti Ramushi prezantohet me disa piktura, me piktura-instalacion dhe një video-art.
Shumica e veprave të tij të ekspozuara, na kthejnë në vitet e ’90-ta të shekullit XX, në kohën para, gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë, si dhe shembjen e një sistemi të tërë politik e të dhunshëm, siç ishte Jugosllavia.
Në shumë vepra shihet sinjalistika e skenave të krimit, vrasjes, zhdukjes, masakrës, varrezave masive dhe tentim-gjenocidit.
Sa herë shohim pasaportat, ne nuk kujtojmë vetëm të kaluarën tonë të dhimbshme, por edhe na asociojnë izolimin e gjatë e të vetëm në Ballkanin Perëndimor, pasi që kosovarët mbesin të fundit në rajon me liberalizimin e vizave për në zonën e Shengenit të Bashkimit Evropian.
Në video-artin “Light art-harmony”, subjekti (artisti) në video me njërën dorë vizaton dhe me njërën dorë luan me tastierën e sintit (sintisajzerit). Krijon tinguj në të njëjtën kohë, në një dhomë të errët, ku përshkruan jetën e vet artistike me vija dhe tinguj muzikorë. Në sfond shihen tri violina dhe dëgjohen tingujt e muzikës, duke interpretuar dhe vizatuar në kohë reale. Video-arti i artistit shfaqet përmes një televizori të vjetër.
Në pikturën-instalacion “Batajnica” shprehet operacioni i fshehjes së krimeve të luftës dhe kundër njerëzimit, vrasja e civilëve të pafajshëm shqiptarë dhe varret masive të fshehura në territorin e Serbisë.
Kufomat janë bartur nga Kosova në Serbi me kamion dhe mjetet e tjera ushtarake dhe paramilitare.
Edhe për së vrari, shqiptarët janë trajtuar çnjerëzisht, duke i djegur dhe në përpjekje për të ikur nga përgjegjësia, janë përpjekur t’i groposnin në zona sa më të sigurta, si në një poligon gjuetie të policisë jugosllave.
Inspiruar nga kjo tragjedi, artisti Ramushi pikturoi seri punimesh po me këtë cikël. Shiriti “DANGER”, instalacion, në këtë rast, tregon rrezikshmërinë për të mos u futur në zonat ku dyshohet se ka skena krimi, kryesisht krime lufte, kufoma, varre masive.
Ndërsa pikturat-instalacion “Karriget” kanë lidhje me luftën e secilit për t’u ulur në karrige, me ose pa meritë. Lufta për karrige është simbolikisht edhe luftë për pushtet e fron. Karriget shpesh kanë sjellë pasoja fatale për shoqërinë.
Vrapimi pas karrigeve prej fëmijërisë e uljes së nxënësve në karrige të klasës në shkollë, është garë për të qenë i pari, më i miri, më i forti, nga kryetar klase në kryetar shteti, dhe kjo konkurrencë, shpesh është jo e drejtë, pa parime dhe me rivalitet të ashpër, pa zgjedhur mjetet për të arritur qëllimin.
Ka edhe tabela me targa të automjeteve, si shenja të cilat përdoren në komunikacion për t’u identifikuar, të shprehura përmes shkronjave, numrave, dhe në kohën e ish-Jugosllavisë, ato ishin me identifikim të qytetit, si p.sh., Prishtina-PR, ndërsa në kohën e sotme, ato janë me numra që tregojnë rajonin prej nga vjen, por jo duke e specifikuar aq qartë secilin vendbanim prej nga vijnë shoferët.
Ka edhe numra të shtëpive për identifikim, për adresa, për postë, identitetin e secilës familje e banor dhe lehtësimin e orientimit, komunikimit e dërgimit.
Shumica e pikturave janë me ngjyra të vajit dhe objektet e paraqitura në piktura janë më shumë në mënyrë grupore e më rrallë individuale, për të shprehur me theks të veçantë identitetin kolektiv, gjurmët e një krimi e varri masiv, zonat e të pagjeturve dhe statistikat e krimit të shumëfishtë.
Identiteti është fluid, i rrjedhshëm, vazhdimisht ndryshon, transformohet dhe merr trajta të reja, e sidomos identitetet e dhunshme politike (YU), ato bien një ditë, duke krijuar identitete të reja.
Kuruar nga Din Azizi
Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport – Gjilan