(2LONLINE) – Tefik Ibrahimi, ish kandidat për këshilltar komunal i Aleancës Kosova e Re (AKR) vazhdon ta “vajtojë” faktin që doli më i votuari brenda partisë së tij, por nuk hyri në kuvend falë, sipas tij, ligjit diskriminues për Zgjedhjet Lokale. Siç dihet, AKR ka fituar dy ulëse në asamblenë e re Komunale të Gjilanit, por se në to do të ulen, Arben Maliqi, si bartës i Listës dhe Mizafere Ismajli për shkak të kuotës gjinore, por jo edhe Tefik Ibrahimi i cili kishte 302 vota, duke qenë më i votuari.
Ibrahimi thotë se nuk asgjë të keqe dhe nuk i kanë faj as Arben Maliqi që hyri në Kuvend si bartës i listës e as Mizafere Ismajli, që kuota gjinore ja mundëson të hyjë në Kuvend, por e ka me ligjin përkatës dhe me KQZ që zbaton atë ligj.
Ai vazhdon të jetë i revoltuar dhe ta shpreh pakënaqësinë e tij, siç thotë ai, lidhur me padrejtësinë që ia ka bërë Ligji për Zgjedhjet Lokale dhe KQZ -ja e cila zbaton një Ligj që diskriminon kandidatin, diskriminon votat e votuesve të tij, abuzon me votën e qytetarit dhe shkelë një të drejtë themelore të njeriut, të drejtën e votës.
“Me reagimet e mija dua të sensibilizojë opinionin për këto çështje dhe të ngrisë çështjen e bërjes sa më shpejtë të Reformës Zgjedhore e me këtë edhe të Ndryshimit të Ligjeve mbi Zgjedhjet sepse këto gjera, këto padrejtësi kandidateve ju kanë bërë edhe më 2009 dhe ja po përsëriten edhe ne vitin 2013. Po një gjë dua ta sqaroj se unë personalisht asgjë të keqe nuk kam ndaj kandidatit të parë në Listën e kandidateve, kështu thotë Ligji kurse ne themi Bartësi i listës Arben Maliqit padrejtësisht zgjidhet këshilltar me votat e te gjithë kandidateve tjerë të AKR”, thotë Ibrahimi.
Ai shton po ashtu se bartësi i listes nuk i ka faj atij pse nuk zgjidhet me 302 vota, por atij i bënë të padrejtë Ligji dhe KQZ.
“Shtroj pyetjen se a nuk është dashtë ky Ligj të ndryshoj edhe më 2009 po edhe para 2013.? Përse ky favorizim i pa drejte i një kandidati? Dhe një pyetje sa për relaksim: Bartësit e grupeve në kampionatet e futbollit a shkojnë drejtpërdrejtë me pikat e ekipeve tjera apo bëjnë gara edhe ato? Normalisht qe edhe ato ekipe si bartëse të Grupeve garojnë dhe nuk përfitojnë nga pikët e ekipeve tjera në grup. Atëherë përse te na Bartësi i Listës fare nuk garon po një Ligj anakronik këtë ja mundëson që t’i merr votat e te gjithë kandidateve tjerë. Absurd i kohës”, thotë Ibrahimi.
Ai po ashtu ka thënë se nuk ka asgjë të keqe as me bashkëpartiaken e tij, Mizafere Ismajli pasi, po ky Ligj asaj ja mundëson që si kandidate e gjinisë femërore, ndonëse dukshëm me më pak vota se ai, të zgjidhet këshilltare.
“Ajo bile, ka qenë korrekte dhe dy herë më ka thënë se jap dorëheqje në mënyrë që unë të shkoj për këshilltarë, mirëpo prapë edhe në këtë rast të dorëheqjes së saj, do të zgjedhej një kandidate femër edhe me më pak vota e jo ai” , ka thënë Ibrahimi.
Ai thotë se dëshiron të përsërisë edhe njëherë se atij i është bërë e padrejtë nga Ligji dhe KQZ e jo nga Arben Maliqi dhe Mizafere Ismajli, ndonëse ishte më i votuar se ata, dhe se, këtë çështje po e ngritë ngase në të gjitha subjektet politike në Gjilan dhe anekënd Kosovës ka këso padrejtësi të panumërta.
“Mjerë ne, çfarë ligjvënës, çfarë ligje, çfarë organe që i aprovojnë dhe çfarë organe që i zbatojnë ato ligje i kemi. Zoti na ruajt. Ndoshta Gjykata Kushtetuese do ta thotë fjalën e fundit”, ka thënë në reagimin e tij Tefik Ibrahimi. /2lonline/