(2LONLINE) – Banorët e fshatit Muqibabë të Gjilanit thonë se jetojnë në kushte tejet të vështira dhe se autoritetet komunale duhet ta kthejnë kokën edhe kah fshatrat e brezit kufitar, siç është edhe ky fshat, për t’u dal në ndihmë këtyre banorëve.
Vehid Ibrahimi, kryetar i bashkësisë lokale të Muqibabës, tha se atij dhe bashkëfshatarëve të tij u mungon pothuajse çdo gjë, jeta e rëndë sociale është e pranishëm te të gjithë, ndërsa fatmirësisht situata e sigurisë është e mirë edhe atë qysh prej vitit 2003 e këndej, pasi nuk ka pas shqetësime, ndonëse ndodhen në kufi me Serbi.
Ibrahimi thotë se Komuna e Gjilanit, kjo qeverisje e re që është tani, do të duhej të nis së ndihmuari jo vetëm Muqibabën por tërë fshatrat e brezit kufitar, duke u bazuar në kushtet e vështira të jetesës së banorëve në këto ane.
Ai thotë se brenga më e madhe tani mbetet varfëria. Aktualisht në Muqibabë jetojnë 16 familje me diku mbi 100 anëtarë.
“Po jetojmë shumë vështirë. Asnjë anëtarë i këtyre familjeve nuk ka vend pune të rregullt. Pesë familje janë pa shtëpi po jetojnë nëpër shtëpi të vjetra të boshatisura. Gjallë mbesim duke punua me kali e gomarë, me të cilët bartim dru të cilët i shesim. Çdo familje ka së paku një lopë apo dhi sa për bylmet. Të rrallë janë dikush që ka pak më tepër, duke përfshirë edhe dele”, thotë Ibrahimi.
Ai thotë se edhe ato pesë familje kishin ndërmend të shpërngulen, por ai vet nuk i ka lejuar duke ju premtuar angazhim personal të tij, nëpër institucione për të kërkuar ndihmë për ta.
Ibrahimi tha se edhe toka është e vështirë për t’u punuar. Ndërsa mbillet më së shumit misri, por edhe atë duhet ruajtur deri sa ti vije koha e korrje sepse në hall janë edhe me derra të egër që i shkatërrojnë arat me misër.
Në këtë mes ka edhe nxënës të mirë, vazhdon tutje Ibrahimi, por se sipas tij, si rrjedhojë e varfërisë, nga tre studentë sa ishin nga këto familje që jetojnë aktulisht në Muqibabë, vetëm njëri po e vazhdon tutje fakultetin.
Ai tha se duhet të investohet në Muqibabë por edhe në fshatrat tjerë të brezit kufitar që të gjallërohet jeta dhe edhe banorët e këtyre lokaliteteve ti çelin sytë dhe të shpëtojnë na kthetrat e varfërisë. / 2lonline/