“Fshati Muqibabë që ndodhet në zonë kufitare, Kosovë – Serbi, është lënë në harresë nga pushtetet e deritanishme. Komuna e Gjilanit, e ka trajtuar dhe po e trajton sikur të mos jetë fshat që i takon asaj. Në këtë brez dalin pushtetarët për vota, për ndonjë drekë të mirë, apo në ndonjë situatë kur u nevojitet atyre me bë ndonjë fotografi nga kjo anë, varësisht prej temave politike të momentit”, ka thënë Vehid Ibrahimi, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Përndryshe, Ibrahimi njihet si veprimtar i kësaj ane, tani e 20 vite, i angazhuar për të bindur pushtetarët e cilitdo parti, për investime në këtë anë sepse kjo zonë është edhe e rëndësishme për shkak që është në kufi me Serbinë dhe assesi nuk bënë të boshatiset tërësisht, nëse nuk duam që kufiri të na vije pothuajse në Gjilan, thotë ai.
Vehid Ibrahimi vazhdon të këmbëngulë për të jetuar në këtë fshat, që vazhdimisht është boshatisur për shkak të jetës së rëndë, edhe po të mbetet banori i fundit.
Tani tha se edhe shkolla që sadopak i jepte gjallëri këtij fshati flitet se do të mbyllet, e mungesa e investimeve dhe e ndihmës nga pushteti për ata pak banorë, që kryesisht janë ekonomikisht shumë të dobët, do të bëjë që Muqibaba dalëngadalë të vdes.
Ibrahimi, i cili për monumentin jeton në objektin e shkollës, tani e shtatë vite, prej se iu dogj shtëpia, thotë se ai mund të jetojë edhe në mal, e kudo, veçse kjo zonë kufitare të ketë njerëz, për hire të atyre që kanë dhënë gjak për këto troje.
Ai edhe sot thotë se në cilësinë e kryetarit të Këshillit të fshatit, mundohet të organizojë jetën atje, të i merr kërkesat e banorëve dhe t’i adresojë në institucionet komunale dhe qendrore, por, siç thotë ai, shihet se as pushtetarët e sotshëm nuk e kanë dertin e asaj ane.
Ibrahimi thotë për 2LONLINE, se atje duhet të ndihmohen në infrastrukturë, të rregullohen rrugët, ujësjellësi, ndriçimi, ta ketë mjekun, të ndihmohen në forma të ndryshme të gjithë ato familje që janë mbetur atje, por të stimulohen edhe familjet që e kanë lëshuar këtë fshat, duke u përkrahur me projekte të ndryshme, që të kthehen në vendlindjen e tyre.
“Kam përshtypje se kërkesat e mia, jo personale por në të mirë të fshatit-banorëve të Muqibabës, po hidhen në mbeturina në vend se të trajtohen dhe të marrin përgjigje pozitive”, ka thënë Ibrahimi, i cili përkundër kësaj thotë se nuk do të zmbrapset por do të vazhdojë të bëjë kërkesa në adresë të institucioneve sepse ato e kanë për obligim t’i ndihmojnë, pa dallim, qytetarët e vet.