“Isha i privilegjuar që në emër të Behgjet Pacolli, Presidentit të Aleancës Kosova e Re (AKR), të marrë pjesë në punimet e Forumit Zgjedhor të Gruas, në degën e AKR-së në Gjilan. Barazia gjinore, që në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të jetë për t’u dëshiruar, është kruciale dhe jetike për ngritjen e nivelit kulturor e zhvillimor të shoqërisë në tërësi”, ka thënë Gëzim Ibrahimi, sekretar i Degës së AKR-së në Gjilan.
Sipas tij, AKR-ja, si parti demokratike-liberale, target të veçantë në programin dhe aktivitetet e saj, e ka barazinë gjinore, gjegjësisht krijimin e kushteve dhe rrethanave që mundësojnë barazinë e plotë të burrit dhe gruas në aktivitete, zgjedhje dhe vendimmarrje.
Ibrahimi tha se edhe në këtë takim që kishte karakter zgjedhor dhe festiv, nuk u tejkalua vlerësimi i situatës aktuale politike, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit.
“Ishte mendim i përgjithshëm, se interesi i shtetit duhet të jetë mbi të gjitha. Duhet t’i flakim anash të gjitha mosmarrëveshjet, inatet, interesat partiake e individuale dhe së bashku e në koordinim të plotë me nunin e pavarësisë – SHBA-të, të punojmë për finalizimin e plotë të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Ibrahimi.
Përndryshe, Kryetare e Forumit të Gruas se Degës së AKR-së në Gjilan u zgjodh, Festina Kurteshi. /2LONLINE/