(2L ONLINE) – Banorët e rrugës “Vëllezërit Frashëri” të lagjes “Dheu i Bardhë” të Gjilanit thonë të jenë në hallë me rrugën e tyre e cila edhe ashtu nuk ka qenë në gjendje të mirë, por tani si rezultat i punimeve që bëhen në rrugën sipër, është vërshuar nga uji, i cili po fle aty duke bërë që të duket si një liqe i vogël.
Kjo papërgjegjësi e atyre që e bëjnë punën sipër, sipas tyre ka krijuar telashe dhe bllokuar më se 100 shtëpi të kësaj rruge, sidomos problematike është për fëmijët që shkojnë në shkollë që nuk munden ta kalojnë rrugën. Duhet patjetër vende-vende të transportohen me automjet deri tek rruga kryesore e asfaltuar.
Osman Ibrahimaj banor i kësaj lagjeje i ka thënë portalit 2L ONLINE se me këtë problematikë janë duke u ballafaquar si rrjedhojë e papërgjegjshmërisë së atyre që realizojnë një projekt të komunës për asfaltim të rrugëve. Sipas tij, gërryerja e rrugës sipër, ka bërë që të krijohen kanale dhe se nga shiu që bije, ato kanale e orientojnë krejt ujin në rrugën e tyre që ndodhet më poshtë, kështu që sadopak një shi i vogël,e bënë këtë rrugë të pakalueshme në këmbë.
Ibrahimaj thotë se për këtë kanë kërkuar edhe ndihmë ne institucioneve komunale, kanë lajmëruar Inspeksionin si dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe po presin që ata të ndërmarrin diçka, përndryshe uji është duke fjetur në rrugën e tyre dhe se po që se nuk merren masa, mund t’i ndalin fëmijët nga shkolla.
Përndryshe, ai pret që përveç evitimit të kësaj problematike të bëhet sa më parë edhe asfaltimi i rrugës sepse, siç thotë ai, edhe kjo pjesë i takon komunës së Gjilanit. /2L ONLINE/