Sot, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë së Partisë, në të cilën, ndër tjerash, u mor vendim që të përjashtohen nga të gjitha strukturat e saja, tre anëtarët: Leonora Morina – Bunjaku, Enver Shabani dhe Bajram Isufi.
Siç dihet, Këshilli Drejtues i PDK-së, në mbledhjen e mbajtur më 3 korrik 2023, kishte marrë vendim për pezullimin e çdo komunikimi zyrtar dhe ndërprerjen e bashkëpunimit institucional me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani – Sadriu, si dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
“Në këtë kontekst, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, si rezultat i mosrespektimit të këtij vendimi nga disa anëtarë të saj nga Dega në Gjilan, në mbledhjen e sotme ka vendosur që të përjashtojë nga të gjitha strukturat e saj, tre anëtarët: Leonora Morina – Bunjakun, Enver Shabanin dhe Bajram Isufin”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se zyrtarët e përjashtuar nuk kanë zbatuar qëndrimet partiake dhe vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së edhe pas kërkesës me shkrim të datës 31 korrik 2023, të komunikuar zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, dhe kanë vazhduar të shërbejnë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, përkundër prishjes së koalicionit kohë më parë. /2LONLINE/