(2L ONLINE) – Kolegji Penal për të Mitur i Gjykatës së Apelit, i ka ndërprerë masën e paraburgimit të miturit L.S. dhe ka vendosur që i njëjti të mbrohet në liri.
Vendimi u mor në bazë të ankesës se mbrojtësit të këtij te mituri, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë PPRMN nr. 1/2014 të datës 05.06.2014 – njofton Zyra per informim e Gjykatës se Apelit.
I mituri L. S dyshohet se ne janar të 2014-tës, afër shkollës Emin Duraku në Prishtinë, në bashkëkryerje me një person tjetër ka privuar nga jeta 14 vjeçarin F.K, me ç‘ rast ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë nga neni 179 të Kodit Penal të Kosovë.
Ai ishte paraburgosur me 08.01.2014. Gjykata Themelore me pas i kishte vazhduar paraburgimin edhe 3 herë, deri me 08.08.2014.
Gjykata e Apelit me 18.06.2014 i pat ndryshuar masën e paraburgimit duke e zëvendësuar me atë të arrestit shtëpiak. Kundër këtij vendimi Prokurori i Shtetit , kishte ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e cila më pas e ktheu serish çështjen në Gjykatën e Apelit për rivendosje.
Në shqyrtimin e dytë( dje ) Gjykata e Apelit gjeti se i pandehuri nuk mund të mbahet në paraburgim, për shkak se prokuroria nuk i ka kryer hetimet(procedurën përgatitore) brenda afatit 3 mujor ashtu siç e parasheh ligji. Sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur “ paraburgimi i të miturit mund të vazhdohet nga kolegji i gjykatës kompetente për një periudhë shtesë deri ne 60 ditë”. Ndërsa pas kësaj periudhe “kolegji për te mitur e rishqyrton vendimin për paraburgim brenda 30 dite”.
Në rastin konkret kjo gjykatë vlerëson se nuk është vepruar brenda periudhës 3 mujore dhe nuk është respektuar parimi themelor i drejtësisë “interesi më i mirë për te miturin”./2L ONLINE/