Gjilan – (2LONLINE) – Autoritetet policore të Rajonit të Gjilanit kanë bërë të ditur se kanë arrestuar një shtetas shqiptar, ndërsa një tjetër, i njohur për policinë, është në kërkim, me dyshimin trafikim me njerëz.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë se rasti ka ndodhur në Hodonoc të Kamenicës, ku pas marrjes së informatës hetuesit e njësisë anti trafikim, nga shtabi qendror, që veprojnë në Gjilan, ju kanë përgjigjur rastit ku kanë takuar viktimën, shtetase e Shqipërisë si dhe te dyshuarin A. M.
Zëdhënësi Hashani ka thënë se nga hetimet e para mësohet se i dyshuar tjetër S. N. në bashkëpunim me një tjetër shtetas të Republikës së Shqipërisë, kanë kontaktuar shtetasin Kosovar A. M. dhe atij i kanë premtuar se do t’i a gjejnë një grua për martesë në këmbim të të hollave.
Sipas toger Hashanit, të dyshuarit kanë kontaktuar viktimën shtetase e Shqipërisë dhe duke e mashtruar dhe keqpërdorur pozitën e saj të ndjeshme për përfitime të tyre materiale, e kanë njoftuar me të dyshuarin A. M. me banim në fshatin Hodonoc komuna Kamenicë. I dyshuari kishte bërë pagesën prej 300 euro.
“Dy të dyshimtit shtetas të Shqipërisë e kanë sjell viktimën nga Shqipëria në Kosovë. Viktima pasi që e kishte kuptuar se ishte trafikuar ajo kishte njoftuar policinë ne lidhje me rastin. Ajo është intervistuar në prani të mbrojtësit të viktimave si dhe i është ofruar ndihma dhe përkrahja e nevojshme dhe strehimi”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, gjatë zhvillimit të operacionit është arritur të arrestohet i dyshuari S. N. shtetas i Republikës së Shqipërisë në një motel në Gjilan. Ndaj të dyshuarit S. N. me aktvendim të Prokurorit të Shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa i dyshuari A. M. është liruar në procedurë të rregullt.
Hashani tha se policia është në kërkim të të dyshuarit tjetër D. H. po ashtu shtetas i Shqipërisë. Rasti i kompletuar do te procedohet në Gjykatë. /2lonline/