Kishte shtënë me armë zjarri në ajër për të shprehur në këtë mënyrë gëzimin që iu është kthyer djali nga gurbeti. Por, duket se ky veprim ia ka quar policinë n’derë.
Autoritetet policore të Rajonit të Gjilanit kanë bërë me dije se në Zhegër të Gjilanit, njësiti patrullues, së bashku me Njësitin e Hetimeve, kanë kryer bastisjen në shtëpinë e një të dyshuari, sipas urdhëresës të lëshuar nga Gjykata.
Nënkolonel Shaban Azizi, zëvendësdrejtor Rajonal në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjilan ka bërë me dije se gjatë bastisjes është sekuestruar një armë e zjarrit, pistoletë Ekol Special 99 cal 9mm, një karikator dhe 31 fishekë.
“I dyshuari ka pranuar se arma ka qenë personalisht e tij dhe me të njëjtën kishte shtënë para disa ditëve në shenjë gëzimi për kthimin e djalit nga bota e jashtme. Rasti procedohet në Prokurorinë Themelore”, ka bërë të ditur nënkolonel Azizi.