Policia e Kosovës stacioni policor i Gjilanit është njoftuar për një rast mosmarrëveshje mes dy personave (vëllezër mes vete), në njërën anë, dhe të një personi tjetër, që ka ndodhur në lagjen “Arbëria” në Gjilan.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se ata fillimisht kanë shkëmbyer fjale kërcënuese dhe gjatë mosmarrëveshjes që kishin mes vete, është raportuar se te ta janë vërejtur se kanë armë. Për rastin është njoftuar Prokurori dhe Gjykatësi i Procedurës Paraprake nga i cili është marrë urdhër për bastisjen e shtëpive të palëve të rastit.
“Nga bastisja ka rezultuar se njëri nga të dyshuarit posedon armë gjuetie, me afat të skaduar të lejes, prodhim Turk, dhe 12 copë fishekë të kal. 12 mm. Të njëjtat janë konfiskuar se bashku me lejen e armës me afat te skaduar. Me urdhër të prokurorit iniciohet rast “Kanosje” dhe “armë mbajtje pa leje””, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Rasti i kompletuar në procedurë të rregullt i referohet Prokurorisë së krimeve të rënda.