“Sot kemi ndërprerë kontratën për Stadiumin e Qytetit duke zhbllokuar kështu procesin dhe krijuar mundësinë për realizim sa më të shpejtë të projektit”, ka bërë me dije, kreu i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Ja deklarata e tij e plotë:
Shkëputëm kontratën për Stadiumin e Qytetit
Sot kemi ndërprerë kontratën për Stadiumin e Qytetit duke zhbllokuar kështu procesin dhe krijuar mundësinë për realizim sa më të shpejtë të projektit.
Nga muaji janar i vitit 2022 bashkë me MKRS-në jemi angazhuar të analizojmë thellësisht sfidat e paraqitura në projektin e Stadiumit të Gjilanit, në mënyrë që të dakordohemi për planin e veprimit dhe të mobilizojmë resurset e nevojshme njerëzore dhe financiare për dinamizimin e punimeve në përmbylljen e këtij projekti.
Kjo analizë, e cila është mbështetur e verifikuar nga ekspert të mirënjohur te fushës së arkitekturës dhe prokurimit publik, ka rezultuar me gjetje të cilat na kanë obliguar të ndërpresim kontratën aktuale për shkak të shkeljeve të shumta që janë identifikuar.
Kemi siguruar mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës për realizimin e procedurave të nevojshme administrative dhe sigurimin e buxhetit për realizimin e projektit të stadiumit të kategorisë së 4 në Gjilan. /2LONLINE/