“Komuna e Gjilanit, po vazhdon me pastrimin, thellimin dhe zgjerimin e shtretërve të lumenjve. Këto angazhime po bëhen me qëllim të parandalimit të dëmeve milionëshe nga vërshimet”, thonë drejtuesit e komunës.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni tha se mbi 1200 metra gjatësi janë pastruar në shtratin e lumit Përlepnica.
“Jemi duke vazhduar masat preventive për parandalimin e vërshimeve. Për më shumë se 2 vjet nuk ka pasur vërshime”, tha Hyseni.
Ai shtoi se ky angazhim e punë po bëhet si preventivë, ndërkohë janë qindra e miliona euro dëme të evituara.
Edhe drejtori Bejtullah Osmani, tha se kanë bërë pastrimin, thellimin dhe zgjerimin e shtretërve të lumenjve: Stanishorka në qytet, në Malishevë, Pogragjë, Bresalc, Kmetoc, Kosaq dhe tashmë edhe shtrati i lumit Përlepnica 1.2 kilometra gjatësi.
“Kjo po bëhet me qëllim të zvogëlimit të rrezikut nga vërshimet dhe përmbytjet”, tha Osmani.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, shtoi se i gjithë ky aktivitet realizohet bazuar në objektivat që dalin nga plani i punës pēr vitin 2024.
“Vazhdojmë tutje me pastrimin, thellimin dhe zgjerimin e shtretërve të lumenjëve në lokalitetet tjera të Komunës së Gjilanit”, tha Osmani. /2LONLINE/