“Dje pata nderin të pres Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në komunën tonë. Vizitat i filluam nga fabrika prodhuese e kompanisë “Jaffa Plus”, ku pamë nga afër punën e palodhshme të 120 punëtorëve të kësaj fabrike. Jaffa Plus është një model i qartë i suksesit që i jep shtysë ekonomisë lokale dhe promovon Kosovën në arenën ndërkombëtare”, ka thënë kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Ai bëri me dije se nga aty vazhduan te Shkolla e Muzikës në Gjilan, ku në praninë e qindra qytetarëve gjilanas, Kryeministri, së bashku me ministrat, ndanë arritjet dhe përpjekjet e realizuara gjatë këtyre katër viteve, nën moton “Nga zotimet te progresi”.
Hyseni ka thënë se në këtë tubim u prezantuan edhe shumë prej arritjeve të komunës së Gjilanit në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës, ku gjatë 4 viteve të fundit janë realizuar dhe financuar projekte të ndryshme me një vlerë totale prej 130 milionë eurosh.
“Qytetarët shprehën vlerësimet e tyre për punët e kryera dhe zotimet e realizuara, si dhe entuziazmin e lartë për projektet e reja që na presin në 4 vitet e ardhshme. Jam mirënjohës për bashkëpunimin dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përkrahjen e komunës sonë dhe projekteve tona. Nga këtu ju ftojmë të na bashkëngjitenI në tubimin e fushatës më 18 Janar në Sallën e Sporteve “Bashkim Selishta”, ka thënë kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni. /2LONLINE/