Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni bashkë me drejtorin për Bujqësi, Bajram Isufin, kanë vizituar fermin Lulëzim Shala në fshatin Ponesh, përfitues i subvencioneve nga komuna.
“Këtë javë do të ndajnë me qytetarët, disa të arritura të jashtëzakonshme në fushën e bujqësisë. Për vitin 2023, ne kemi ndarë një buxhet të përgjithshëm prej 1.5 milionë euro për këtë sektor”, tha Hyseni.
I pari i komunës shtoi se prej këtij buxheti, 800 mijë euro vijnë nga buxheti komunal, ndërsa 700 mijë euro janë siguruar përmes marrëveshjeve të bashkëfinancimit.
“Kjo përbën një rritje të jashtëzakonshme krahasuar me vitin 2022, kur gjetëm një buxhet te miratuar nga qeverisja e kaluar në vlerë prej 390 mijë euro”, theksoi Alban Hyseni.
Kryetari i Gjilanit, shton se përveç rritjes së buxhetit, një tjetër arritje e madhe është rritja e transparencës në ndarjen e subvencioneve.
Sipas tij sot, fermerët dhe bujqit kanë mundësinë të përfaqësohen drejtpërdrejt në Kuvendin Komunal gjatë procesit të ndarjes së subvencioneve.
Gjithashtu, listat e të gjithë përfituesve publikohen në uebfaqen zyrtare të komunës, për të siguruar transparencë të plotë.
Më tej i pari i Gjilanit tregoi se një tjetër hap i rëndësishëm, ka qenë edhe krijimi i një zyre të veçantë për bujqit dhe fermerët brenda Komunës.
Kjo zyrë ka lehtësuar dhe përshpejtuar marrjen e shërbimeve dhe është gjithmonë në dispozicion për t’ju ndihmuar me çdo pyetje apo nevojë që mund të keni.
“Ne nuk do të ndalemi, bujqësia do të jetë prioritet mbi prioritete”, tha kryetari Alban Hyseni.
Nga ana tjetër edhe fermeri Lulëzim Shala, është i kënaqur me mbështetjen nga ana e komunës dhe i cili tha se për mundin që bënë e meriton edhe mbështetjen. /2LONLINE/