“Përkujtimi i dëshmorëve është respekti për historinë, prandaj 11 Janari nuk është thjeshtë një datë e zakonshme”, ka thënë kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili ka bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan.
“Nderimi për ata që e dhanë jetën për lirinë e popullit e për çlirimin e vendit është detyrë e jona kombëtare e shoqërore. A ka trimëri më të madhe se të e japësh jetën në luftë kundër armikut për t’i dhënë liri vendit e popollit tënd? Prandaj, dëshmorët janë institucioni më i vlefshëm i të gjitha kombeve”, ka thënë Kryetari Hyseni.
Ai u shpreh se “Flaka e Janarit është simboli i lirisë! Pikërisht për të përkujtuar sakrificën e tyre, për të treguar përmes artit e kulturës, se ata që sakrifikuan jetën, janë dhe do të mbesin në mesin tonë. Vitet e shqiptarëve në Kosovë fillojnë me Flakën e Janarit, teksa na ndriçojnë mendjen për të përkujtuar sakrificën e dëshmorëve të të gjitha kryengritjeve”, ka thënë kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni. /2LONLINE/