Drejtoria e Inspekcionit në Gjilan po vazhdon me punën e saj të rregullt në garantimin e një modeli dhe standardi të ri të punës.
Drejtoresha e Inspekcionit, Entela Hyseni, ka bërë të ditur se javën që kaloi, kanë proceduar me hartimin e procesverbaleve për objektet pa leje ndërtimi, inspektimin sipas kërkesave në vend-punishte dhe vizitat aty ku janë ndërprerë punimet më parë.
Ajo tha se kanë zhvilluar kontrolle rutinore në qendër dhe zonat periferike të qytetit.
“Kemi konstatuar në zona të ndryshme, fillime të punimeve ndërtimore, pa u pajisur me lejen e posaçme nga organet kompetente. Mosrespektimi i urdhrit të Inspekcionit, paraqet shkelje të ligjit dhe ndëshkimet do të bëhen në bazë të ligjit 041 L-110 dhe 041 L-175 të MMPH. Në total, kemi marrë 15 kërkesa për fillimin e punimeve në lokacione të ndryshme, si dhe 10 kërkesa për ndërtim, ku punimet janë aktualisht të ndalura. Vazhdojmë në sigurimin e mbarëvajtjes së punës dhe koordinimit me të gjitha institucionet dhe aktorët përkatës”, ka thënë drejtoresha e Inspekcionit në Gjilan, Entela Hyseni. /2LONLINE/