Zgjedhjet e gjashtë tetorit janë konsideruar si më të rëndësishmet prej se është çlirua vendi. Prej dy dekadave vendi po sillej në një rreth vicioz dhe nuk po bënte thuaj asnjë hap para, që t’i zgjidh problemet me të cilat ballafaqoheshin qytetarët e vendit.
Shkruan: Avdi AZIRI
Si asnjëherë më par zgjedhjet e gjashtë tetorit janë pritur me interesimin më të lartë nga qytetarët e vendit për faktin se konsiderohej që dy partitë LDK dhe Vetëvendosje ,do ti jepnin fund një keqqeverisje gati prej dy dekadave. Këto dy parti së bashku ishin deklaruar edhe publikisht gjatë fushatës zgjedhore se cilado parti që del e para, ata do lidhnin koalicion për bashkëqeverisje. Të dy partitë gjatë fushatës zgjedhore konstatonin se vendit i duhet një qeverisje ndryshe nga qeveritë e kaluara të cilat për një kohë të gjatë, për mes krimit e korrupsionit, zhvatjes e nepotizmit, e kishin sjell vendin në atë pozitë ku e vetmja zgjidhje konsiderohej largimi nga vendi për një jetë më të mirë.
Pas procesit të votimit me gjashtë tetor Vetëvendosje doli e para dhe Lidhja Demokratike e Kosovës doli e dyta. Me faktin që te dy partitë edhe në fushatë ishin deklaruar se së bashku do ti formojnë institucionet, dukej se të gjitha zhvillimet do të kalonin pa vështirësi. Mirëpo nuk doli të jetë ashtu, sepse fill pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga ana e KQZ-s filluan të dalin në sipërfaqe dallimet mes të dy partnerëve. LDK-ja u pa se nuk ka entuziazëm për koalicion bisedimet u stërgjatën shumë sepse brenda LDK-s kishte një rezistencë nga një grup me ndikim të cilët nuk e donin me asnjë kusht bashkëqeverisjen me Vetëvendosje.
Ky grup I fuqishëm brenda LDK-s në fakt prej fillimit ishin kundër bashkëpunimit me Vetëvendosje, por që nuk kishin pas guximin ta deklarojnë gjatë fushatës sepse e dinin që do të ndëshkoheshin nga elektorati I tyre ,sepse ata e dinin që elektorati I LDK-s në shumicë dërmuese e dëshironte bashkëqeverisjen me Vetëvendosje.
Tani që ishin kryer zgjedhjet dhe votuesit më nuk e kishin në dorë fatin e drejtimit të partisë, grupi me ndikim në LDK do ta kishte në dorë vendim-marrjen dhe si shumë herë në të kaluarën ta devijoj vullnetin e votuesve të shprehur përmes votës. Lidershipi I LDK-së nuk do të ishte hera e pare që do ta devijonte vullnetin e votuesve, ai këtë e ka bërë shumë herë tjera. Na kujtohen sloganet “kurrë me PDK-n” dhe përfundonin bashkë me PDK-n. Ky lidership I LDK-së e pat zgjedh edhe Presidentin Hashim Thaçin në kundërshtim me zërin e elektoratit të saj.
Vështirësitë e negociatave të LDK-s me Vetëvendosje, nuk ishin për shkak se kishin dallime apo për shkak të posteve siç i paraqiteshin në publik. Në fakt LDK-ja po e luante lojen e konspiracionit, deri sa një grup i LDK-s negocionte për bashkëqeverisje me Vetëvendosje, grupi tjetër i LDK-së po punonte me partitë e PAN-it se si ta ndërtonin strategjinë për të dalë nga koalicioni me Vetëvendosje.
Brenda LDK-s ka pas plan dhe strategji qysh prej fillimit të fushatës zgjedhore mos me qeverisë me Vetëvendosje, mirëpo ju ka dashtë një alibi dhe justifikim për me arsyetua para elektoratit të saj dhe fajtore me e paraqit Vetëvendosjen.
LDK-ja i ka pas dy pengesa të pakapërcyeshme që pas rezultatit zgjedhor ta formojë Qeverinë me Partitë e PAN-it pa e formua fillimisht Qeverinë me Vetëvendosje. Pengesa parë ka qenë Gjykata Kushtetuese, e cila me aktgjykimin e vitit 2014 në rastin e VLAN-it, e ka përcaktuar se vetëm subjekti që ka dalë fitues mund ta propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë, po ashtu me atë vendim të Gjykatës Kushtetuese subjektit të parë do t’i takonte edhe propozimi për Kryetarin e Kuvendit. Duke marr parasysh këto fakte procesi do të bllokohej dhe Qeveria nuk do të mund zgjidhej.
Pengesa e dytë për LDK-në ka qenë, arsyetimi para votuesve, sepse ata e dinin që votuesit do të ndiheshin të tradhtuar dhe kjo situatë LDK-n mund ta sillte para një përçarje të madhe.
Duke lidhë një koalicion të përkohshëm me Lëvizjen Vetëvendosje këto dy pengesa do të eliminoheshin sepse më nuk do t’i kishin pengesat kushtetuese dhe pakënaqësitë eventuale të elektoratit do ti amortizonin duke akuzuar Vetëvendosjen si antiamerikane, dhe në këtë pikë kishin kërkuar edhe mbështetjen e ambasadorëve Grenell dhe Kosnet që ata ta përkrahnin publikisht mocionin kundër Qeverisë.
Prej fillimit në këtë konspiracion është i përfshira edhe Presidenti Thaçi, ku bashkë me grupin e LDK-së e kanë orkestruar grithë skenarin. S’ka asnjë dyshim se Presidenti Thaçi është personi më i interesuar për prishjen e koalicionit në mes Vetëvendosjes dhe LDK-s, sepse tani atij i hapet mundësia për me u rizgjedh edhe për një mandat President i vendit. Me qeverisjen e Albin Kurtit karriera politike e tij do të përfundonte deri në fund të këtij viti. Kjo është një ndër arsyet kryesore pse koalicioni në mes LDK-s dhe Vetëvendosjes ka dështuar. Presidenti Thaçi duke pas ndikim te Lidershipi i LDK-s e ka luajt lojën e tij siç ai di dhe e ka sjell vendin në këtë gjendje ku ndodhemi.
Vlenë të theksohet se fill pas përfundimit të zgjedhjeve konjukturat e LDK-s filluan një linçim kundër Vjosa Osmanit, ata qëndrimet dhe konsistencën e Vjosa Osmanit, se LDK-ja kurrë s’do të bëjë koalicion me partitë e PAN-it, e shikonin si pengesë, sepse ata veç kishin bë marrëveshjen pikërisht me formua Qeverinë me Partitë e PANI-it.
Sulmet, etiketimet ndaj Vjosa Osmanit ishin të orkestruara, e akuzonin me lloj-lloj epitete si ; tradhtare, se ajo nuk e ka fuqinë në
LDK siç po pretendon, se votat i ka nga “bazeni” i LDK-së, etj. Këto linçime prodhuan edhe reagim të madh tek elektorati I LDK-së, ku pas reagimeve të fuqishme pushuan edhe linçimet ndaj saj dhe ju bo e qartë drejtuesve të partisë se Vjosa Osmani gëzon mbështetje shumë të fuqishme tek votuesit e LDK-së.
Pra duket qartë se kreu i LDK-së qysh prej fillimit ka pas një plan se si të arrihet deri aty dhe se është përdorur Lëvizja Vetëvendosje si trampolinë për ti kapërcyer pengesat që i ka pas para veti. Plani deri tani ka funksionuar dhe koha do ta dëshmojë se si do të jetë epilogu i këtij komploti mirë të organizuar bashkë me Partitë e PAN – it dhe të Presidentit Thaçi.