Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka miratuar rregulloren për përcaktimin e kushteve dhe organizimin e praktikës klinike dhe ushtrimeve për studentë të institucioneve private të arsimit të lartë.
Qëllimi kësaj rregulloreje është përcaktimi i formës dhe procedurës së realizimit të praktikës klinike dhe ushtrimeve në njësitë përbërëse të SHSKUK për institucionet private të arsimit të lartë.
Rregullorja mundëson që Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës të sigurojë realizimin e praktikës klinike dhe ushtrimeve për të gjithë studentët e institucioneve private të arsimit të lartë, të licencuara akredituara, sipas legjislacionit në fuqi.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, në bashkëpunim me drejtorin për Arsim dhe Shkencë, caktojnë personin përgjigjes për koordinimin dhe mbikëqyrjen e realizimit të praktikës klinike dhe ushtrimeve.
Mentorët klinikë, që angazhohen në pajtim me këtë rregullore, duhet të jenë në marrëdhënie pune në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
Institucioni privat i arsimit të lartë ka obligim të paguajë secilin mentor klinik në përputhje me orët e angazhimit.
Praktika klinike dhe ushtrimet në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar organizohen pas përfundimit të orarit të rregullt i punës në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (07:00-15:00).
Praktika klinike dhe ushtrimet për studentët e institucioneve private të arsimit të lartë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës organizohet me pagesë.
Pagesa realizohet si kompensim për shërbimet profesionale të marra në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar té Kosovës dhe për mentorim.
Për studentët e drejtimit infermieri, mami, fizioterapi, logopedi, laborantë, psikologji dhe radiologji, të cilët kryejnë praktikë klinike në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Institucioni Privat i Arsimit të lartë duhet t’i paguajë shumën prej njëqind e pesëdhjetë (150) euro për një (1) student, për një (1) vit akademik.
Studentët e drejtimit stomatologji, të cilët kryejnë ushtrime dhe praktikë në SHSKUK, Institucioni privat i arsimit të lartë duhet t’i paguajë njëmijë e pesëqind (1500) euro për një (1) student për një (1) vit akademik.
Studentët e drejtimit farmaci, që kryejnë ushtrime dhe praktikë në SHSKUK, institucioni privat i arsimit të lartë duhet t’i paguajë SHSKUK-së, shumën prej katërqind (400) euro për një (1) student për një (1) vit akademik.
Kjo rregullore ka hyrë në fuqi tridhjeté (30) ditë pas miratimit nga ana e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar té Kosovës.
Në bazë të dispozitave të Rregullores së brendshme për realizimin e praktikës klinike dhe ushtrimeve në SHSKUK, nuk kërkohet pagesë nga studentët e institucioneve private të arsimit të lartë për mbajtjen e praktikës apo ushtrimeve.
SHSKUK kërkon pagesën nga Institucioni privat i Arsimit të Lartë si kompensim për shpenzimet e krijuara gjatë realizimit të praktikës dhe ushtrimeve, kërkon pagesën për mentorët klinik sipas angazhimit të tyre dhe në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.
Dispozitat e rregullores së miratuar sqarojnë se bashkëpunimi i institucioneve të arsimit të lartë me SHSKUK-në, i takon krejtësisht vullnetit të lirë të palëve.
Deri tani marrëveshjet për pjesën praktike janë realizuar individualisht në marrëveshje ndërmjet institucionit privat të akredituar dhe SHSKUK-së.
linku për shkarkim të rregullores
https://shskuk.rks-gov.net/DocumentsAndPublicat…/Regulations