Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka mbajtur një ligjëratë para mbi 50 studentëve ndërkombëtarë nga vende të ndryshme të botës, si ato evropiane, SHBA, Meksika, Argjentina e Turqia në kuadër të Programit Veror organizuar nga BEA Institute.
Në ligjëratën për fuqinë e zgjuar dhe Kosovën, Hoxhaj ka thënë se shtetet e vogla mund të bëjnë shumë në politikën ndërkombëtare nëse arrijnë ti shfrytëzojnë mirë dhe drejt kapacitetet e brendshme njerëzore e shtetërore.
“Fuqia e zgjuar (smart power) është njëri prej aspekteve që u mundëson shteteve të vogla të jenë aktorë kyc në marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjatë mandatit tim si ministër i Jashtëm, Kosova e ka aplikuar këtë qasje dhe përmes fuqisë së butë ne kemi siguruar njohje ndërkombëtare dhe anëtarësuar vendin në organizata.
Në mungesë të fuqisë së fortë që matet me kapacitetet ekonomike, ushtarake e territore të mëdha, fuqia e butë e shteteve të vogla i bën ato pjesëmarrëse aktive dhe me shumë peshë në botën multilaterale” ka thënë Hoxhaj.
Ai më tej ka shtuar se “një element tjetër i rëndësishëm për ta përmirësuar imazhin e vendit që kemi përdorur ka qenë diplomacia publike, të cilën e kemi ndër më të avancuarat në rajon”. Ministri Hoxhaj në pyetjet dhe diskutimet me studentët ndërkombëtarë, ka folur për sfidat e brendshme të shoqërisë kosovare, dialogun me Serbinë dhe procesin e njohjeve nga disa vende që nuk e kanë njohur deri më tani si Kina, Argjentina apo Brazili.