Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur për lejimin e dasmave dhe ahengjeve. “Të gjitha masat lehtësuese që janë ndërmarrë deri më tani, janë duke u monitoruar nga afër dhe po vlerësohen vazhdimisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë”.
***
“Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur për lejimin e dasmave dhe ahengjeve. Më datën 1 korrik, përfaqësuesit e estradës dhe hotelerisë do të takohen me Ministrinë e Shëndetësisë për të vlerësuar nëse ka kushte që të zhvillohen aktivitete të tilla”, thotë Hoti.
Sipas tij, të gjitha masat lehtësuese që janë ndërmarrë deri më tani, janë duke u monitoruar nga afër dhe po vlerësohen vazhdimisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë.
“Prandaj, kërkohet nga qytetarët që të tregojnë kujdes dhe t’i respektojnë masat. Në të kundërtën, në rast të përkeqësimit të situatës, prioritet mbetet jeta e qytetarit dhe do të fillojmë me aplikim të masave të reja për mbrojtje nga përhapja e virusit”, thotë kryeministri Hoti.