(2L ONLINE) – Për nderë të Ditës së Çlirimit të Gjilanit, sot në varrezat e dëshmorëve në Gjilan kanë bërë homazhe kryetari i komunës i shoqëruar nga nënkryetari Kadriu, drejtorët e drejtorive komunale, përfaqësues të subjekteve politike, përfaqësues të FSK-së, PK-së, OVL UÇK-së, familjet e dëshmorëve etj.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka thënë se kjo është ditë e bardh për Gjilanin dhe Kosovës, sepse të gjithë kujtojmë ditën e çlirimit të Gjilanit.
“Sot shënojmë një ditë të veçantë të Gjilanit. Bëmë homazhe për dëshmorët, martirët dhe heronjtë luftën çlirimtare, por edhe të gjitha luftërat për liri të bëra ndër vite. Nderim dhe përulje për të gjithë të rënët për liri, që emrat e tyre janë të skalitur këtu”, ka thënë kryetari Haziri, duke shtuar se menjëherë do të fillojmë ndërtimin dhe rregullimin e kësaj hapësire të varrezave në mënyrë që respekti të jetë meritor për të gjithë ata. “Gjunjëzohemi sot para veprës së tyre dhe lus zotin që familjet e tyre të jenë të forta dhe krenare”, përfundoi kryetari Haziri.
Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar qytetarët e Komunës së Gjilanit, Anamoravës dhe të Kosovës për përvjetorin e lirisë.
“Lavdi të rënëve për lirinë e vendit, dëshmorëve, martirëve, poashtu respekt për të gjallët, për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës, ne sot jemi këtu së bashku me institucionet komunale për të nderuar dhe për t’u gjunjëzuar para veprës së dëshmorëve. Lavdi e përjetshme për veprën e tyre”, tha ndër të tjerash kryetari Haradinaj. /2L ONLINE/