Holanda po përgatitet që të heq përdorimin e termit “Holandë” nga përdorimi zyrtar për këtë shtet që nga viti 2020. Emri Holandë i referohet një rajoni në Vendet e Ulëta (Netherlands), por këta dy emra shpesh janë përdorur për të përshkruar vendin verior evropian.
Por, nga janari i vitit të ardhshëm, Vendet e Ulëta zyrtarisht do të heqin nga përdorimi emrin “Holandë” nga e gjithë literatura dhe materialet promovuese, dhe kështu vendit do t’i referohen vetëm në bazë të emrit të tij zyrtar.
Ribrendimi, që i kushtoi vendit 200,000 euro, është pjesë e një fushate më të gjerë për rilansimin e imazhit të vendit, raporton “Sydney Morning Herald”.
Ky hap vjen para se vendi të organizojë garën evropiane të këngës Eurovision dhe para se të marrë pjesë në Lojërat Olimpike 2020 në Tokio.
Logoja me tulipanin portokalli është hequr për t’u zëvendësuar me dy shkronjat NL, që duken si një tulipan i stilizuar. Kjo logo është zbuluar muajin e kaluar nga ministri i Tregtisë i këtij vendi, Sigrid Kaag.
Holanda është një rajon i Vendeve të Ulëta që përfshin qytete shumë të njohura si Amsterdamin, Roterdamin dhe Hagën.
Prej 25 vitesh, industria turistike vendosi të promovojë këtë vend si “Holanda”, por sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme, kjo është diçka e çuditshme, pasi promovohet vetëm një pjesë e vogël e Vendeve të Ulëta në botë.
Logoja e re, që do të jetë në 8 gjuhë të ndryshme, do të përdoret që nga dita e parë e 2020-ës në ndërtesat qeveritare, ambasada, universitete, kolegje, bashki dhe organizata të tjera që bashkëpunojnë zyrtarisht në projekte të qeverisë.