(2L ONLINE) – Me rastin e 28 Nëntorit datës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryesia e Lidhje së Historianëve të Kosovës “Ali Hdri”, dega në Gjilan, bëri homazhe dhe vendosi kurora lulesh tek varrezat e Dëshmorëve në Gjilan në shenjë nderimi dhe kujtimi të jetës dhe veprës së të gjithë atyre që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e tokave shqiptare.
Kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan, Ma. Blerim Haziri tha se 28 nëntori është datë shumë simbolike kombëtare që ngërthen në vehte një hark shumë shekullor të përpjekjeve të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.
Pavarësia e Shqipërisë deklaroi vullnetin e shqiptarëve për të jetuar të lirë dhe të përparuar sikurse popujt e qytetëruar. Ndonëse padrejtësisht u cungua ky vullnet, lufta për çlirim dhe bashkim kombëtar vazhdoi më tutje.
Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Gjilani dhe viset për rreth si para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë patën një rol të veçantë e dhanë kontribut të çmueshëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosovës janë hapa konkret drejt realizimit të programit të Rilindjes Kombëtare, duke konsideruar se çështja shqiptare akoma mbetet e pa zgjidhur në Gadishullin Ballkanik. /2L ONLINE/