E shtunja e 16 Marsit 2019 e paska nisur për në amshim, Hetem Arifin, këtë veteran të arsimit gjilanas, i cili ishte njëkohësisht dhe veteran i veprimtarive kulturore gjilanasa e, mbi të gjitha, veteran i veprimtarive atdhetare, nga rinia e tij e hershme e deri në frymën e mbramë që thithi në këtë jetë të përkohshme.
Nga: Sabit Rrustemi
E kam njohur së afërmi nga fillimi i viteve nëntëdhjeta e këndej të shekullit që iku, anise Familjet tona janë njohur e kanë krijuar lidhje të hershme afrie e miqësie, që nga fillimi i shekullit njëzeet e këndej.
Hetem Arifi, përveç se ishte ndër pionierët e parë të ilegales shqiptare nga vitet gjashtëdhjeta e këndej, duke u angazhuar për të drejta të shqiptarëve e, për bashkim kombëtar, ai u shqua veçanërisht si mësimdhënës, kudo që punoi, nga fshati Marec e, deri të shkolla e mesme e ulët “Abaz Ajeti” ku edhe u pensionua.
Por, krahas mësimdhënies, baca Hetë, qysh e kam quajtur nga dita e parë, la gjurmë edhe si veprimtarë kulturor, në Gjilan e rrethinë.
Ishte pjesë e themelimit të Shoqatës së Pavarur Kulturore të Gjilanit, në vitin 1991, Shoqatë që mori përsipër bartjen dhe realizimin e të gjitha veprimtarive kulturore në komunën e Gjilanit deri në çlirimin e vendit.
Ishte dhe njëri nga themeluesit e Manifestimit Kombëtar të Kulturës “Flaka e Janarit”, manifestim i përshpirtshëm kulturor për martirët, dëshmorët dhe heronjtë e kombit, ku dha kontribut si në organizim, ashtu dhe në realizimin dhe mbajtjen e artit skenik, në veçanti.
Në vitin më të rëndë të Kosovës, nën flakët e luftës dhe krismave për liri, bashkë kemi drejtuar Tribunën e “Flakës së Janarit”, më 1999, në 50 vjetorin e martirizimit të Mulla Idriz Gjilanit, strategut të pashembullt shqiptar për mbrojtjen e kufijve etnikë shqiptar.
Baca Hetë, ka lënë gjurmë dhe me shkrime, me paraqitje dhe, në veçanti, me sjelljen e tij të urtë , duke dëshmuar intelektin e tij arsimor e kombëtar, kudo që është ndodhur.
Do të kujtohet si një Njeri i angazhuar vazhdimisht për çështjet e kombit.
Shpirti i Tij, në këtë rrugëtim të shejtë, do të bëjë dritë, tash e tutje nga amshimi, për breza e breza që do rrugëtojnë andej kah mbetën gjurmët e Tij dhe të mijëra veprimtarëve të tjerë si Ai …