Mehmetali Rexhepi
HERBARIUMI I SHIUT
rrebesh shiu i gushtit relievit të fushës e malit
mbi gjethe të kalbëzuara
mbushen me flegra të petëve të buta
çadra kërpudhash
ngrenë kokë
artileritë e rrezeve të forta
nuk i japin afat krenarie brishtësisë mbi tokë
*
shiu i gushtit përçon impulse
për barin kërpudhat dhe kërmijtë
ku dhe kur i gjetën ato resurse
langoren e trupit tyre mbështjellë
nën një shtëpizë gëzhoje
zhguall që mbulon atë butësi ujore
brumë i butësisë i gatuar me përkëdheli vese
në një qenie lëvizëse me ngathtësi ecjeje robëruese
thjeshtësi e brishtësi dhe shpikje evolucionare
duhej armaturë llaç lëndë drusore e qeramidhe
përbërës tjerë të enigmës së kimisë
ngjyrë e piktorit të dheut e të barit
sikur ajo e Adem Kastratit*
për veshjen e dizajnit të parzmores së shtëpizës
arkitekturë dhe skulpturë pete e kërcores së pjekur
qenie cilës nuk i bëhet vonë
brenda arkivolit mbi shpinë prej rrathësh
nuk rrëshqet krejtësisht zbathur
zvarritet lehtë shinës prej rrëshirës
i prijnë antenat dy brirësh
cakut pa cak shtegtimesh
*
brirët sythe për prekje e ndijime
busulla kahesh e pikë-gjetjesh
të prirë drejt të së lëngshmes
çdo prekje vrazhdësie tkurrje e brirëve
dhe zgjatje me delikatesë paqësore e viktimës
deri tek i pari cak stacioni një këpucë e pa-mbathur
caku më i largët e preferuara ligatinë
kush e di e arrin a nuk e arrin
ja si i solli në këtë herbarium dheu
e pëlleshmja nënë e misteres
mbi e nën të nxehtën syprinë
të përzgjedhurit afat-shkurtë
por jo pa plëng e shtëpi
një krijesë naive mister brishtësie
në një sezon lagështie
që vetëm në motin e tyre
ligavecë zvarriten e vegjetojnë
dhe qesin kokën prej të vetmes dalje e hyrje
e vardisen në avuj stine
derë mbyllur të tjerëve
qetas rrëshqasin shinave të veta
rrëshirës së shtruar prej pështyme
kudo vete kulm shtëpie e arkivol mbi vete
trup e kokë gjithnjë me dalje të hapur
asnjëherë i kurthuar nën dry
enigmë e një harmonike
që hapet e mbyllet pa tinguj
secila prekje i shfaq një sy
ëndrrën e një vere me shi
*
brenda gëzhojës rrumbullake
mbi shpinë e mbanë arkivolin dhe shtëpinë
athua ndjenë edhe ndonjë kënaqësi tjetër
pos çiftimit si zeje e vjetër
*Adem Kastrati piktor unik, ngaqë “gurët me ngjyra të ndryshme i thërrmonte dhe i shtypte mirë, derisa bëhej llaç për ta përdorë” si ngjyrë.