Përderisa, basketbolli tashmë ka anuluar sezonin 2019/20 për shkak të përhapjes së koronavirusit, tri sportet e tjera kolektive të mëdha në Kosovë nuk po e mendojnë një gjë të tillë.
Në fakt, futbolli, hendbolli dhe volejbolli po synojnë vazhdimin e garave, të cilat janë pezulluar që nga data 13 mars, me vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) muajin e shkuar mori vendim për të anuluar edicionin aktual në Superligën e meshkujve dhe të femrave, duke mos shpallur kampionët.
Për dallim prej FBK-së, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK) dhe Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK) janë të vendosura për të vazhduar me edicionin e pezulluar.
Përderisa FFK-ja ka përpiluar një plan për rifillimin e kampionatit, FHK-ja dhe FVK-ja kanë bërë të ditur se ditët në vijim do të dalin me planet edhe sistemin për rinisjen e garave.
Prej këtij muaji masat e bllokimit pritet të lirohen, pasi Ministria e Shëndetësisë e konfirmoi një gjë të tillë. MSH-ja të enjten njoftoi se “hapja selektive e aktiviteteve sportive” është në fazën e tretë, që fillon më datën 1 qershor. Përderisa MSH-ja nuk parasheh aktivitete sportive këtë muaj, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Synimi i FFK-së është që këtë muaj të rifillojë me garat tashmë të pezulluara. Më 23 e 24 maj të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, kurse më 30 maj ndeshjet kampionale.
Madje, FFK-ja ka thënë se të gjitha ndeshjet do të luhen pa shikues dhe nën masa të rrepta sigurie.