(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtorët komunal, Salih Kqiku, Ramiz Ramadani e Valon Shefkiu, si dhe shefin e grupit të LDK-së në Kuvend, Avdyl Aliu, ka vizituar lagjen “Te Vishnjet”, ku është informuar lidhur me problemet, hallet dhe nevojat urgjente për investime në këtë lagje, e që problem kryesor pas bashkëbisedimit me banorët e atjeshëm është nxjerrë se është edhe më tutje rrjeti joprofesional i ujërave të zeza dhe nevoja urgjente e intervenimit.
Me këtë rast kryetari Haziri, ka thënë se në këtë lagje duhet të ndërrohet rrjeti i ujërave të zeza, sepse është i rregulluar nga vetë banorët dhe konform nevojave momentale të tyre e që me zhvillimin dhe rritjen e lagjes ky rrjet më nuk mund ta kryej funksionin e një rrjeti normal porse mbetet gjithnjë e më i vështirësuar. Ai ka thënë se këtu do të investohet fillimisht në rrjetin e ujërave të zeza e më pas edhe në infrastrukturë tjetër bazike.
Haziri ka thënë po ashtu se Komuna e Gjilanit është e përkushtuar dhe po përgatitet që të nis projektet e infrastrukturës, duke nisur nga rrjeti i ujësjellësit, ujërave të zeza, asfaltimet e rrugëve, ndriçimit publik dhe shërbimet komunale sa më cilësore dhe të shpejta për qytetarët.
Më pas, kretari Haziri ka vizituar edhe xhaminë që është ndërtuar afër kësaj lagjeje, për të parë mbarëvajtjen e punëve aty.
Ai ka përgëzuar për iniciativën e vetëfinancimit të disa qytetarëve për ndërtimin e kësaj xhamie, duke thënë se ky është një shembull i mirë i humanitetit të qytetarëve tanë./2L ONLINE/