(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë Ramiz Ramadani, kanë vizituar sot fermën e lopëve të Hajriz Zenunit në fshatin Bilinicë.
Fermeri Hajriz Zenuni posedon 13 krerë lopësh me mundësi të rritjes së këtij biznesi. Ai e njoftoi kryetarin Haziri dhe drejtorin Ramadani me kërkesat e tij për ndihmë siç është ndërtimi i një rruge afro 300 metrash që çon tek ferma si dhe disa kërkesa tjera për të pasur suksese më të mëdha në këtë sektor.
Nga ana e tyre, kryetari Lutfi Haziri dhe drejtori Ramiz Ramadani i premtuan ndihmë dhe përkujdesje këtij fermeri dhe të gjithë fermerëve të Komunës së Gjilanit, duke ua lehtësuar punën, në mënyrë që veprimtarinë ta zhvillojë edhe më shumë.
Sektori i Bujqësisë është një nga prioritetet më të mëdha të qeverisjes kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri. /2L ONLINE/