Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, bashkë me nënkryetarin Arbër Ismajli, kanë vizituar fabrikën e prodhimeve të qumështit KABI, ku janë shprehur të impresionuar me pastërtinë dhe kushtet sterile në prodhim.
“Është njëri prej prodhueve që Gjilani dhe Anamorava krenohet si brend. Në fabrikën KABI, tash e 20 vjet punëtorët bartin maska, dorëza e sterilizues, në mënyrë që produktet e qumështit të dalin me kualitetin më të lartë dhe sipas standardeve europiane. I falënderoj pronarët e Kabi-t, Femi Kastrati e Mitat Bixhaku dhe gjeneratën e dytë, të cilët e bartin biznesin që ka 40 punëntorë”, ka deklaruar Haziri, pas vizitës.
Ai ka theksuar se tradita e punës është sjell prej Zvicrës, ndërkaq si rezultat i prodhimeve të larta, e kanë fituar projektin e madh të Komisionit Europian, për zgjerimin e kapaciteteve.
“BE dhe ambasadorja Natalya Apostolova e ka përmendur si shembull të mirë Kabi-n, të rritjes së kapaciteteve dhe kualitetit të prodhimit. Kemi ardhur sot për t’u njohur me vështirësitë e prodhimit dhe apelojmë që të vazhdojmë ta ruajmë dhe t’i përdorim prodhimet vendose si ato të Kabi-t”, ka shtuar kreu i Gjilanit.
Në emër të fabrikës Kabi ka folur, Nehat Bixhaku, i cili e ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën dhe mbështetjen e ofruar në këtë kohë pandemie, duke thënë se sfidat dhe vështirësitë po mundohen t’i tejkalojnë me sukses.