Haziri: Në këtë kohë të pandemisë, po e ndërtojmë Tregun e Gjelbër me masa kundër Covid-19

Haziri: Në këtë kohë të pandemisë, po e ndërtojmë Tregun e Gjelbër me masa kundër Covid-19

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është duke vazhduar vizitat në terren nëpër ndërmarrjet publike të Gjilanit, ku sot ai ka vizituar ndërmarrjen komunale Tregu, e cila në këtë kohë pandemie është i mbyllur sikur edhe të gjitha tregjet e tjera.

Në Tregun e Gjelbër, që tashmë është në fazën e ndërtimit, kryetari Haziri ka potencuar se është kohë e mirë për vazhdimin e projektit, mirëpo gjithmonë duke respektuar rekomandimet e institucioneve të shëndetësisë për masat mbrojtëse ndaj sëmundjes invektive, virusit Covid-19.

“Në këtë fazë të cilën po e kalojmë në përballje me pandeminë korona, sot jam këtu dhe po shoh se projekti ka ecë mirë në ndërtimin e Tregut të Gjelbër, tregjeve mobile dhe tregut të plaçkave. Investim mbi 1.6 milionë euro, që është investim i përbashkët i Komunës së Gjilanit dhe Komisionit Evropian. Përkundër pandemisë, është një ambient i mirë që investimet të rikthehen në realizim të projektit, mirëpo gjithmonë me kujdes maksimal dhe pajisjen e punëtorëve me masat mbrojtëse”, ka thënë ai.

Tutje, kryetari Haziri ka thënë se punimet duhet të vazhdohen pa u penguar nga tregtarët në mënyrë që punimet të realizohen në afatin më të shpejtë të mundshëm kohor, në këtë kohë pandemie kur shit-blerja në tregje është e ndaluar.

“Kam kërkuar rikthimin e punimeve në treg, sepse në këtë kohë pandemie shit-blerja në tregje është e ndaluar dhe punimet mund të vazhdojnë pa u penguar. Gjithashtu, po menaxhojmë mekanizmin për investimin e tregut të kafshëve dhe plaqkave, që është nyje e re e punës në të ardhmen. Në kuadër të Ndërmarrjes Tregu, do të jenë edhe tregjet mobile si ai në Kmetoc, e Bunari i Përlepnicës, Dardania, Iliria, Arbëria etj., dhe prodhimet e produkteve të bujqve varësisht nga sezoni, kanë hapësirën e duhur për t’u plasuar në treg”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka garantuar tregtarët se ky investim është i tyre dhe po bëhet vetëm për kushte më të mira për shitësit dhe blerësit.

“Ky investim në Tregun e Gjilanit, është qind për qind i tregtarëve, por i menagjuar nga Ndërmarrja Tregu dhe do të shfrytëzohet, po ashtu nga ata. Dhe e dyta, është bashkëpunimi që ky investim të ruhet dhe të jetë në shfrytëzim të plotë prej tyre. Lutet menaxhmenti që në mënyrë strikte të zbatojë masat mbrojtëse të institucioneve të shtetit, për të gjithë ata që pikëpreken me këtë projekt. Gjithasht, apelojmë edhe qytetarët të respektojnë masat mbrojtëse dhe të qëndrojnë në shtëpi për shëndetin e tyre”, ka përfunduar ai.

Ndërsa, Avdyl Jerliu, kryeshef i ndërmarrjes lokale Tregu, ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen e madhe në realizimin e këtij projekti, sikur që ka bërë të ditur se ky projekt do të vazhdojë, përkundër situatës në të cilën jemi.

KOMENTE