Nën organizimin e kryetarit Komunës, Lutfi Haziri, në bashkëpunim me Lidhjen e Historianëve “Ali Hadri”, të shtunën organizohet simpozium shkencor për heroin kombëtar, Idriz Seferi, në të cilin do të zbardhet një pjesë e madhe e veprimtarisë së tij jetësore në kuadër të lirisë së shqiptarëve.
Haziri ka thënë se viti 2017 i kushtohet Idriz Seferit, një kolosi të madh të proceseve të rëndësishmë historike për mbarë shqiptarët, heroit i cili arriti deri në Shkup me Brigadën e tij, për të lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë mbarëkombëtare si një luftëtar që gjithë jetën ja kushtoi luftës për liri.
“Vitin 2017 Komuna e Gjilanit, ia kushton heroit Idriz Seferi, përmes aktiviteteve të ndryshme kulturore, shkencore dhe ngjarjeve të ndryshme për të vazhduar kështu për çdo vit respektin e veçantë për të gjithë ata që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme për Gjilanin dhe gjithë shqiptarët. Idriz Seferi, kryengritësi më i madh i shqiptarëve, jo vetëm me prejardhje nga Gjilani dhe i Seferëve të grykës së Karadaku, por edhe i kryeqytetit të vjetër të shqiptarëve të Kosovës që është Shkupi. Është njëri prej figurave më të mëdha të kombit që luftën për liri dhe bashkim të shqiptarëve e ka bërë deri në fund, së bashku edhe me shumë kryengritës të kohës nga Karadaku, Gollaku, e Moravës së Gjilanit dhe të Kosovës”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai ka theksuar se dy kryengritjet e tij janë më të mëdhatë që njihen në historinë kombëtare, duke shtuar se Gjilani ka për borxh të zbardhë angazhimin e tij luftarak për liri.
“Më 28 Nëntor, në qendër të Gjilanit do të vendoset shtatorja e Idriz Seferit”
“Gjilani ia ka pasur për borxh, ndriçimin edhe më shumë të veprës së tij, të kryengritjes së tij dhe efektit të rezultateve në luftë për çlirimin e Shkupit dhe të Gjilanit e Anamoravës në përgjithësi”, ka thënë Haziri..
Po ashtu, sipas hazirit, duhet të zbardhen edhe vuajtjet dhe dënimet e shumë shqiptarëve nëpër burgjet otomane, deri në Jemen dhe vendet e largëta Arabe, por edhe në territore të huaja, duke mos u kthyer kurrë në vendlindjen e tyre si pjesë e dënimit.
“Por, ajo çka është më e keqja është se Shqipëria e Londrës, për fat të keq, e ka lënë Kosovën jashtë kufijve të saj”, tha Haziri.
“Prandaj, me kënaqësi presim pjesëmarrjen e historianëve dhe njohësve që përmes prezantimeve dhe punimeve të tyre të marrin pjesë në konferencën kushtuar këtij kolosi. Gjilani është bashkëorganizator së bashku me Lidhjen e Historianëve “Ali Hadri” në Gjilan, ndërsa gjatë aktivitetit kulturor, të “Flakës së Janarit 2017”, ne ia kemi kushtuar akademinë e “Flakës…” heroit Idriz Seferi”, ka shtuar kryetari Lutfi Haziri.
“Gjilani do të subvencionojnë të gjithë ata që zbardhin histori…”
Haziri ka bërë ftesë publike për të gjithë ata që shkruajnë libra, hulumtojnë e zbardhin histori, shkruajnë poezi, këngë, piktura, grafikë, skulpturë dhe gjithçka që lidhet me Idriz Seferin dhe bashkëluftëtarët e tij, t’ia kushtojnë këto vepra.
Ai tha se Komuna e Gjilanit ka caktuar çmim do të mbështesë materialisht çdo punim dhe çdo vepër, për të kulmuar më 28 Nëntor 2017 me vendosjen e shtatores së madhe të heroit Idriz Seferi në qendër të qytetit.
Haziri, ka thënë poashtu se është në pritje të Kuvendit të Komunës që të caktoj lokacionin e përshtatshëm për vendosjen e shtatores së Idriz Seferit, që do të jetë zona e parë e qytetit, së bashku edhe me Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën që janë të vendosur në qendër të Gjilanit, për të cilët do të bëjnë zgjidhjen më të mirë të mundshme në hapësirën publike.